Sociale

Nis vaksinimi i operatorëve turistikë në Durrës, Vlorë dhe Lezhë

Nga Durresi, Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu lajmeruan se filloi procesi i vaksinimit antiCOVID për operatorët turistikë.

"Jemi koordinuar për të filluar sot me të gjithë punonjësit e operatorëve turistikë në vend. Nga sot janë rreth 2000 punonjës të operatorëve turistikë që fillojnë vaksinimin në këtë fazë të parë sepse në vijim do të shtohen. Vaksinimi ka filluar jo vetëm në Durrës, por edhe në Vlorë, Lezhë", tha Manastirliu.

Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje të gjithë strukturave hoteliere të aplikojnë pranë Ministrisë së Turizmit, për tu futur në radhë për vaksinimin antiCOVID.

"Sot është e rëndësishme të informohen edhe tjerët, qeveria është gati të vaksinojë të gjithë personelin e strukturave hoteliere, duke filluar nga strukturat hoteliere të bregdetit, që janë ata që do të kenë edhe masën më të madhe te turistëve që do të presin, të cilët me këtë vaksinim më shumë për operatorët turistikë, japin një garanci më shumë për turistët, si hotele që janë COVID free, të lira nga COVID", tha Rama.
Manastirliu bëri me dije se në qendrën e vaksinimit në Durrës janë vaksinuar mbi 20 mijë qytetarë dhe ndërkohë që janë mbi 314 mijë vaksinime të kryera në gjithë vendin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë