Ngjarje

Foto-Video/ Shemben disa banesa te ‘5 Maji’ në Tiranë mes tensionit të banorëve. Orenditë shtëpiake mbeten mes rrënojave

Dhjetëra forca policie rrethuan zonën e "5 Majit" në Tiranë, pasi këtë mëngjes nisi shembja e disa shtëpive në kuadër të projektit të rindërtimit pas tërmetit të nëntorit 2019, por banorët kanë refuzuar të dalin nga pronat e tyre e tyre, duke bërë rezistencë.

IMT-ja kishte vendosur shembjen e disa banesave pa arritur në një marrëveshje paraprake me të gjithë pronarët e tyre. Në zonë ndodhen gjithashtu dhe efektivët e shërbimit zjarrfikës, ndërsa fadromat kanë nisur punën.

Këto godina po shemben në kuadër të procesit të rindërtimit pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019, ku në këtë zonë është hartuar një plan zhvillimor me blloqe të reja banesash.

Policia ka hasur vështirësi në nxjerrjen e banorëve nga shtëpitë, pasi ata nuk kanë pranuar të dalin. Disa pjesëtarë të një familjeje në një godinë 2 katëshe, kanë bërë rezistencë, ndërsa fadroma përgatitej të niste shembjen.

Në godinën 2-katëshe, e cila ishte planifikuar për t’u prishur nga IMT, një person është vetëlidhur me pranga në ulluqet e tarracës së shtëpisë, por forcat policore kanë mundur ta largojnë.

Një pjesë e banorëve të zonës e kanë kundërshtuar këtë projekt që nga fillimi dhe prej gati 3 muajsh kanë zhvilluar protesta, pasi sipas tyre nuk kanë arritur një marrëveshje me bashkinë.

Disa prej banorëve janë shoqëruar nga policia, pasi nuk janë dakordësuar me marrëveshjen  me bashkinë, të cilën e cilësojnë të njëanshme. Sot ka qenë afati i fundit për lirimin e banesave.

Një pjesë tjetër e banorëve që janë prekur nga projekti i ri, janë dakordësuar dhe kanë filluar nënshkrimin e marrëveshjeve me Bashkinë e Tiranës për t'u pajisur me shtëpi sipas VKM-së së miratuar nga qeveria në shtator të 2021, nëpërmjet procesit të kompensimit përmes shkëmbimit.

Banorët e njësisë administrative numër 4 dhe numër 8 që preken nga ky plan, do të strehohen më tej në një bllok pallatesh që ndërtohet po te “5 maji” e ku do të bashkëjetojnë edhe banorë, shtëpitë e të cilëve kanë pësuar dëme nga tërmeti i 26 nëntorit, por edhe ata që i kap plani zhvillimor.

Sipas VKM-së, banorëve shtëpitë e të cilëve janë parashikuar për t’u shembur, do t’u jepen apartamentet e reja që do të ndërtohen në këtë zonë.

Ajo çka ka mbetur mes rrënojave pasi fadromat përfunduan shembjen, është një panoramë e trishtë: mobilie të shkatërruara, krevate, televizorë dhe objekte të ndryshme shtëpiake, me banorët që janë përpjekur të ruajnë çfarë kanë mundur nga aksioni i IMT-së.

Rreth 75% e banorëve në zonë, sipas nënkryetarit të Bashkisë Tiranë, Arbër Mazniku, kanë firmosur marrëveshjen me bashkinë, ku nënvizoi se do të shpronësohen edhe ato që për arsye administrative e kanë pasur banesën e tyre të palegalizuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë