Gazeta Si – Ajo që nisi si një protestë e heshtur, ose marshim pa fjalime para kryeministrisë, vazhdoi me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Me strategjinë e re, militantët e PD qëndruan 1 orë në heshtje para kryeministrisë, me disa mesazhe përmes një megafoni, dhe u larguan pa hedhur asnjë molotov.
Më pas, demokratët u urdhëruan të marshojnë në drejtim të bllokut të ministrive. Por ata kanë hedhur molotovë gjatë marshimit të tyre, ndërsa nga ana tjetër, policia i ka shpërndarë duke u përgjigjur me ujë dhe spraj.
Ata tentuan çarjen e kordonit të policisë për të dalë nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, por përpjerkja nuk ka qenë e suksesshme, pasi policia ka dhënë leje vetëm te ky perimetër për të protestuar dhe jo jashtë saj.

Ndërkohë edhe deputetët e PD-së janë përplasur me kordonin e policisë të cilët kanë tentuar t’i shpërndajnë.
Situata në vendngjarje është përshkallëzuar për disa momente, ndërsa forca të shumta policie ndodhen në terren për të mbajtur nën kontroll turmën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të incidenteve.
Sakaq, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe përfaqësues të tjerë të kësaj force politike janë siguruar me maskë anti-gaz.

Ajo që ka bërë përshtypje këtë protestë ka qenë mungesa e fjalimeve politike, nga ana e eksponentëve të opozitës.
Pavarësisht nga reshjet e shiut, në marshimin-protestë të opozitës, qindra qytetarë janë grumbulluar para kryeministrisë.
Ndryshe nga protesta e fundit mungo podiumi, ndërsa u mbajtën vetëm fjalime të improvizuara me megafon nga organizatorët e tubimit.
Berisha mbërriti fillimisht në selinë blu, për të nisur mandej marshimin në drejtim të kryeministrisë, ku u ndal në mes të bulevardit mes drejtuesve dhe simpatizantëve të PD.

Në terren janë 1500 efektivë policie, por edhe vetë drejtori i Përgjithshëm Skënder Hita i cili u ka bërë thirrje policëve që të ruajnë qetësinë përballë provokimeve.
Policia e Tiranës ka marrë masat për mbarëvajtjen e këtij tubimi, teksa ka theksuar se leja e dhënë është vetëm për në bulevardin qendror. Kështu, deri në përfundim të tubimit, bllokohet qarkullimi i automjeteve nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te Sheshi “Nënë Tereza”.
Në përditësim…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje