Ka ndodhur

Foto-Video/ Nis aksioni në bregdet kundër zaptimit të plazheve, sekuestrohen çadra e shezllonë

Ashtu siç paralajmëroi një ditë më parë kryeministri Rama, ka nisur këtë të mërkurë aksioni kundër zaptimit të hapësirave publike në bregdet.

Policia Bashkiake në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka nisur aksionin në plazhet e Durrësit për verifikimin e ligjshmërisë së plazheve private.

Golem, Kavajë

Kontrolli ka filluar nga Përroi Agait, në drejtim të Karpenit dhe kontrollet do vazhdojnë në të gjithë vijën bregdetare. Si rezultat i kontrolleve, janë evidentuar 11 parcela pa leje, ku janë hequr rreth 550 shezllonë dhe rreth 280 çadra.

Durrës

Kontrollet në territorin e plazhit në Durrës, nisën nga Përroi Agait në drejtim të vendit të quajtur "Plepa" dhe kontrollet do vazhdojnë në të gjithë vijën bregdetare.

Si rezultat i kontrolleve deri në këto momente në 30 subjekte janë evidentuar 7 parcela pa leje, ku janë hequr rreth 290 shezllonë dhe rreth 141 çadra.

Velipojë

Po ashtu, aksioni ka nisur edhe në Shkodër. Autoritetet po bëjnë verifikimin e dokumentacionit në bregdetin e Velipojës dhe kush nuk është në rregull me dokumentacionin do t’u bllokohen çadrat dhe shezllonët. 

Vlorë

Kontrolle për lirimin e parcelave të plazheve, po kryhen edhe në jug të vendit, ndërsa paralelisht vijon edhe aksioni i IKMT për shembjen e ndërtimeve pa leje në bregdet.

Darëzezë dhe Divjakë

Policia ka nisur verifikimet dhe kontrollet në bregdetin e plazhit në Seman, Darzezë dhe Divjakë. Si rezultat i kontrolleve deri tani janë evidentuar 3 subjekte në Darzezë dhe Seman pa leje ku janë hequr 157 shezlongë dhe rreth 76 çadra.

Problematika në Shkodër

Zëvendës-drejtori i Rendit dhe i Sigurisë Publike në Shkodër , Dashamir Spaho ka folur në lidhje me aksionin e policisë për lirimin e zpatimit të hapësirave pa leje në plazhe.

Në një deklaratë për mediet, Spaho thotë se po kryhet fillimisht një kontroll mbi ligjshmërinë e plazheve stacionare të vendosura në Velipojë. Ai shtoi se po kontrollohet çdo hapësirë, duke paraqitur dokumentacionin e nevojshëm për këtë problem.

Spaho theksoi se kanë pasur vetëm dy subjekte që kanë pasur problematikë për mbivendosjen e metrave, pra kanë shfrytëzuar metra më shumë nga sa kanë aplikuar në E-Albania dhe kemi marrë masa për lirimin e ambientëve dhe për ta vënë në shfrytëzim të subjektit që do të fitojë ne E-Albania.

Po ashtu Spaho nënvizoi se problematikë mbetet mosdhënia e territorit ku ata dëshirojnë, por dëshirat e subjekteve mund të jenë të ndërthurura dhe e vendos agjencia e turizmit.

Të martën, kryeministri Rama paralajmëroi subjektet që t'i lironin vetë hapësirat e zaptuara pa leje, ose në të kundërt do të largohen me forcën e ligjit dhe do iu konfiskohen gjithçka, për të mos iu kthyer më.

Ky aksion vjen katër ditë pas masakrës në Velipojë, ku mbetën të vrarë katër persona për shkak të një konflikti të nisur për shfrytëzimin e hapësirave publike në bregdet.

Edhe Jugu i vendit u kthye në qendër të vëmendjes, pasi gjatë natës, një biznesi në Drimadhë iu dogjën rreth 60 shezlongë, edhe pse pronari deklaroi se nuk kishte pasur konflikte me njeri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë