Editorial

Ligji funksionon part-time dhe aq sa gjatësia e hijes së një çadre plazhi

Videot e shpërndara për mediat me policë dhe aparatçikë të tjerë të shtetit që shkulin çadrat dhe shezlongjet “pa leje”, duken të vjetra. Jo për nga cilësia e imazhit, por nga brendia e tyre. Janë të ngjashme si 3-4 vite më përpara pandemisë. Të njëjtat skena, të njëjtat plazhe, të njëjtat uniforma të shtetit. E njëjta skenë mediokre e vendosjes së rregullit.
Atyre u tha kryeministri t’i heqin duke i paralajmëruar për ndëshkime nëse nuk zbatojnë ligjin… Edhe atëherë, para 3-4 vitesh, kryeministri u tha.
Ndërmjet kësaj kohe të gjatë, gjithçka është bosh. Asgjë nuk funksionon në rrjedhën normale të një marrëdhënieje mes individit, biznesit dhe institucioneve. Poshtë në terren, jashtë godinës së Kryeministrisë, duket se asgjë nuk lëviz, saqë duhen urdhra nga frëngjia kryeministrore për të sjellë në vend “dinjitetin”. Ndërkohë poshtë ky vakuum nuk mbeti aq shumë bosh, por filloi të mbushej me viktima, sherre dhe një atmosferë dhune të pamerituar.
Pse ndodh kështu…
Ka plot e përplot arsye: korrupsion, paaftësi, mbizotërim i të fortëve etj., etj. Të gjitha burojnë nga një marrëdhënie e keqe. Marrëdhënia jonë me shtetin dhe shtetit me qytetarët e vet.
Ja të shikojmë më konkretisht historinë banale të çadrave dhe shezlongjeve.
Nga njëra anë kemi biznese që as letrat siç i kërkon ligji dhe rregulli nuk dinë t’i plotësojnë. Ka të tjerë që më shumë provojnë të gjejnë mikun dhe të japin në dorë pará, sesa të paguajnë detyrimet në bashki. Ka të tjerë që s’dinë të bëjnë asgjë vetëm të zënë me forcë. Është një marrëdhënie e krijuar prej kohësh se ky shtet është i dobët, edhe kur ndëshkon, e bën me gjasme sepse nesër fal. Mund të vjedhësh nëse je i varfër e mund të zaptosh nëse je i fortë. Me pak fjalë, një kulturë ku nuk respektohet as ligji e as ai që zbaton ligjin. Përkundrazi ky i fundit tregohet me gisht si i dobët.
Nga ana tjetër kemi institucione të korruptuara. Vende pune të zëna me taraf, dhe merita partish e klanesh. Me pak fjalë, një institucion tribu.
Dy javë më parë agjencitë përkatëse nisën shembjen e ndërtimeve pa leje dhe shkulën çdo gardh, hunj e trarë parkingjesh që ishin vendosur aty dhunshëm nga zaptuesit e territorit në zonën bregdetare, në Golem e Kavajë. Pamjet në video tregonin se sa i fortë ishte shteti, edhe pse këto agjenci qeveritare që nuk janë pak që nga policia bashkiake deri tek IKMT, ishin aty çdo ditë të zakonshme kur ndodhte krimi.
Për pak orë ne u gënjyem për të disatën herë nga dëshira se po shikonim se si shteti vendosi drejtësinë. Por sërisht pak më vonë, kur furia kaloi, aty çdo gjë është si më parë. Sërisht trarët e “tokës së xanun” u rivedosën më të fortë dhe më sfidues, sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Sikur ligji në ktë vend funksion part-time sa herë kryeministri thërret për provim.
Ndaj dhe pamjet e fundit nga aksioni në plazh nuk na tregojnë asgjë, vetëm se e shkuara është sërish e tashmja dhe se e ardhmja mungon. Ato sa na bindën se dhe më pas asgjë nuk ka për të ndryshuar. Sepse askush nuk po e kupton thelbin e problemit: Nuk është ligji, por marrëdhënia feudale që krijon individi dhe shteti me të. Ndërkohë që për sa kohë turizmi promovohet me personazhe që e kanë shkelur dhe përfituar nga tarafet, forca, qytetarët e respektuar të këtij vendi mbeten indiferentë. Për ta është si të shikosh një film të vjetër, që thotë kryeministri se kur duhet të shfaqet…


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë