Ngjarje

‘Pasha këtë fëmijë që kam me lind sonte’, fjalët e fundit të gruas që u vra me dy plumba në muajin e 9 të shtatzënisë

Një krim i rëndë ndodhi të mërkurën në mbrëmje rreth orës 18:00 në oborrin e maternitetit në Prishtinë, Kosovë.

Një burrë dyshohet se vrau ish-gruan e tij shtatzënë, e cila ishte në ditët e fundit të lindjes.

Hamide Magashi, 35-vjeçare u vra para klinikës së Gjinekologjisë me disa plumba në muajin e 9-të shtatzënisë.

Zëri.info shkruan se i dyshuari për këtë vrasje është Sokol Halili i cili ishte në proces divorci me të ndjerën.

“Është raportuar se viktima femër kosovare para Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK është qëlluar me armë zjarri nga një person i dyshuar dhe si pasojë ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilës e ka konstatuar mjeku. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të Policisë dhe prokurori kujdestar, me urdhrin e të cilit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Nga njësitë policore në disa lokacione është kërkuar i dyshuari, por deri tani nuk është hasur. Rasti vazhdon të hetohet nga njësitet kompetente policore”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

Klan Kosova ka rënë në kontakt me një dëshmitare e cila i ka dëgjuar fjalët e fundit të viktimës para se ajo të vritej.

“Po, më duket se ka qenë shtatzënë sepse ka bërtitur: ‘pasha këtë fëmijë që kam me lind sonte’. Ai veç e ka nxjerrë alltinë prej xhepit dhe e ka qëlluar dy herë”, ka thënë dëshmitarja.

Gruaja që dyshohet se u vra në oborrin e QKUK-së ishte duke jetuar me babanë e saj që kur u nda nga burri i saj.

Personi i dyshuar për vrasje është kërkuar në disa lokacione, por nuk është gjetur ende, transmeton Zeri.info.

Gjykata Themelore në Ferizaj ka konfirmuar se viktima ka qenë në urdhër mbrojtjeje për gjashtë muaj.

Sipas Gjykatës, vendimi për mbrojtjen e viktimave u është dorëzuar Qendrës për Punë Sociale në Lipjan dhe Stacionit Policor në këtë qytet.

Foto te se ndjeres me autorin e dyshuar per vrasjen e saj, ish-bashkeshorti publikuar nga gazeta Express

Po ashtu, Gjykata Themelore në Ferizaj ka thënë se i dyshuari S.H., ishte shpallur fajtor për veprën “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur pas mbledhjes së Grupit të ngushtë Ndërministror për vrasjen e 35-vjeçares mbrëmë në oborrin e QKUK-së nga bashkëshorti i saj.

Haxhiu u shpreh se ky rast tregon se sa i shprehur është femicidi që po vret jetë vajzash dhe grash.

Ajo fajësoi Prokurorin që nuk ka kryer detyrat, pasi sipas saj prokurori e ka liruar në procedurë të rregullt të dyshuarin, pasi 35-vjeçarja e kishte raportuar në Polici për dhunë, transmeton Zeri.info.

“Sipas informacioneve nga Policia e Kosovës, viktima kishte raportuar në korrik të këtij viti të dyshuarin për dhunë psikike dhe fizike dhe Prokuroria e kishte liruar në procedurë të rregullt të dyshuarin, është një papërgjegjësi institucionale e prokurorit të rastit, sepse ne në vazhdimësi po bëjmë thirrje që të mbrohen jetët e grave dhe vajzave. Sikur Prokuroria të ishte në krye të detyrës, rasti i tillë mund të jetë parandaluar”, tha Haxhiu para mediave.

Ajo shtoi se kanë edhe disa informacione të tjera, por për shkak të hetimeve nuk mund t’i bëjë të ditura.

Në Kosovë, në pesë ditët e fundit u vranë dy gra, dhe që të dyja dyshohet se janë vrarë nga bashkëshortët e tyre.

Ngjarja e parë ndodhi në orët e hershme të 25 nëntorit në Prishtinë, kur një burrë u dorëzua në Polici, pasi dyshohet se vrau gruan e tij 63-vjeçare me sëpatë. Vrasja e dytë ndodhi mbrëmjen e 30 nëntorit, kur në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës u qëllua për vdekje një grua shtatzënë. Dyshohet se është bashkëshorti i viktimës, dhe nga të shtënat humbi jetën edhe fëmija i palindur.

Por, këto nuk janë rastet e para, e as të vetme të vrasjes së grave. Në Kosovë, sipas të dhënave të organizatave për mbrojtjen e grave, nga viti 2010 janë vrarë 50 gra nga burrat, teksa dhuna në familje po ashtu ka shënuar rritje në vitet e fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë