Futboll

Ngjajnë si dy pika uji, 10 binjakët më simpatikë në futboll!

Futbolli është i mbushur me shembuj, kur në të njëjtën skuadër, edhe pse mund të mos kenë pasur të njëjtin sukses, kanë milituar dy vëllezër. Shpesh edhe vëllezër binjakë, të ngjashëm si dy pika uji, por me cilësi të ndryshme. Të gjithë i kujtojnë dy vëllezërit Filipini të Breshias, miq të Igli Tares në kohën kur ai luante me këtë skuadër. Janë të shumtë “çiftet” e binjakëve dhe secila dyshe ka një histori të ndryshme nga tjetra. Po ju rendisim më poshtë disa nga dyshet më simpatike të binjakëve të futbollit.

Lars dhe Sven Bender

Lars dhe Sven Bender
Pasi luajtën për disa vite njëri kundër tjetrit, Lars me Bajern Leverkusen dhe Sven me Borusia Dortmund, u bashkuan pak vite më parë. Sven vendosi të linte Dortmundin dhe ta shkonte në Leverkusen, ku u bashkua me vëllanë e tij binjak. Përveç klubeve të tyre në Bundesligë, binjakët Bender kanë pasur një përvojë edhe me kombëtaren e Gjermanisë në të njëjtën periudhë, nga viti 2011 deri në vitin 2014. Sven numëron 7 ndeshje me Gjermaninë, kurse vëllai i tij, Lars, 19 ndeshje.

Ronald dhe Frenk De Bur

Ronald dhe Frenk De Bur
Ndoshta ky është çifti më i famshëm i vëllezërve binjakë në futbollin botëror. Dyshja holandeze ka luajtur bashkë me fanellat e Ajaksit, Barcelonës dhe Gllasgou Rejnxhërs, natyrisht edhe me kombëtaren e Holandës. Frenk ka pasur më shumë sukses, duke luajtur më shumë ndeshje se vëllai i tij dhe kështu i bë me kalimin e kohës një nga mbrojtësit më të fortë dhe më të vlerësuar në arenën ndërkombëtare.

Hamit dhe Halil Altintop

Hamit dhe Halil Altintop
Shumë të ngjashëm nga ana fizike, por shumë të ndryshëm nga ana teknike. Dy binjakët me origjinë turke, por me pasaportë gjermane, kanë pasur një përvojë shumë të bukur së bashku me fanellën e Shalke 04. Ata kanë pasur një karrierë krejtësisht të ndryshme. Pa dyshim, Hamiti ka pasur më shumë sukses, sepse ka arritur të veshë fanellat e ekipeve me shumë emër si Bajern Mynih dhe Real Madrid. Nuk është pak, apo jo?

Fabio dhe Rafael da Silva

Fabio dhe Rafael da Silva
Një nga blerjet më të çuditshme të erës “Ferguson” te Mançester Junajtid ka qenë dyshja braziliane Fabio dhe Rafael da Silva. Ata u blenë nga trajneri i famshëm skocez për t’u bërë lojtarë titullarë te Mançesteri, por më pas rrugët e tyre u ndanë. Të dy zgjodhën që pas largimit nga “Djajtë e kuq”, ta vazhdonin karrierën në kampionatin francez.

Aleksei dhe Vasili Berezutski

Aleksei dhe Vasili Berezutski
Dyshja ruse numëron në total 300 ndeshje me fanellën e CSKA-së së Moskës, duke qenë për vite me radhë dy pika referimi të mbrojtjes së ekipit moskovit. Dy binjakët kanë luajtur rregullisht edhe në formacionin e kombëtares së Rusisë në vitet 2003-2018. Vasili ka kaluar shifrën e 100 ndeshjeve me Rusinë dhe ka marrë medaljen e bonzit në Europianin e 2008-ës.

Kristian dhe Damiono Xenoni

Kristian dhe Damiano Xenoni
Janë rritur bashkë në sektorin e të rinjve të Atalantës, por më pas karriera e tyre mori drejtim tjetër. Kristian arriti deri aty sa të vishte fanellën e Juventusit dhe të Sampdorias, ndërsa Damiano, pas një përvoje te Pistoieze në fillim të karrierës, u kthye tek Atalanta, ku qëndroi 7 vjet në periudhën 1998-2005. E mbylli më pas duke veshur fanellat e Udinezes dhe Parmës, para se të transferohej bashkë me vëllanë te Grumeleze, një skuadër diletantësh e Provincës së Bergamos.

Antonio dhe Emanuele Filipini

Antonio dhe Emanuele Filipini
Italianëve, sa herë që mund të flitet për vëllezër binjakë në futboll, emri i Filipinëve është i pari që u vjen në mendje. Një dyshe ikonike, që për shumë kohë ka pushtuar faqet e para të gazetave sportive italiane. Të dy bashkë kanë luajtur më shumë 1000 ndeshje, gjysmën e së cilave me fanellën e Breshias së tyre të dashur. Pasi lanë “Dallëndyshet”, pak a shumë në të njëjtën periudhë, vëllezërit Filipini kanë veshur fanellat e Parmës, Palermos, Lacios dhe Trevizos, duke lëvizur gjithmonë të dy bashkë.

Gustavo dhe Guilermo Skeloto

Gustavo dhe Guilermo Skeloto
Dyshen argjentinase e njohin mjaft mirë në lagjen e Boka Zhuniorit. Binjakët Skeloto kanë pasur dy karriera krejtësisht të ndryshme si lojtarë, por janë bashkuar sapo kanë nisur aventurën e trajnerit. Guilermo është lojtari i dytë me më shumë tituj i historisë Boka Zhuniorit, ndërsa vëllai Gustavo, pas eksperiencës me këtë ekip, e kërkoi fatin me fanellat e Vilarrealit, Rasing dhe Rosario Central. Si trajnerë kanë drejtuar Bokën, Guilermo trajner dhe Gustavo zëvendës, ndërsa tani drejtojnë LA Galaksi.

Dario dhe Danilo D'Ambrozio

Dario dhe Danilo d’Ambrozio
E kanë nisur karrierën bashkë te Sporting Kaivano, por më pas rrugët e binjakëve d’Ambrozio u ndanë. Mbrojtësi i krahut të djathtë të Interit, sapo ndryshoi rolin nga mbrojtës qendre në mbrojtës krahu, pati një shpërthim dhe arriti deri në Serinë A, me fanellën e Torinos fillimisht dhe tani me atë zikaltër. Vëllai Dario e vazhdoi karrierën si futbollist, megjithatë Robur Siena është pika më e lartë që ai ka arritur.

Jose Maria Kalejon dhe Juan Miguel Kalejon

Juan Miguel dhe Jose Maria Kalejon
Sulmuesi anësor i Napolit, Jose Maria Kalejon, u bë i njohur me fanellat e Espanjolit dhe Real Madridit, ndërsa binjaku i tij, Juan Miguel, i njohur si Juanmi, pasi tentoi edhe ai fatin në Spanjë te të rinjtë e Realit dhe më pas me huazime te Albasete, Maiorka dhe Kordoba, u stabilizuar në Bolivi. Ai u bashkua me Bolivarin, një nga klubet me më shumë histori në këtë vend. Me këtë ekip ka fituar 3 tituj në periudhën 2013-2015, duke shënuar 80 gola në më shumë se 150 ndeshje.
Përgatiti: Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë