Politike

Ngërçi për koalicionet, ndërkombëtarët futen në lojë…

Sa herë që në politikën shqiptare nuk ka konsensus për çështje të rëndësishme siç është edhe ajo për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në loje futën ndërkombëtarët.

E kanë bërë këtë gjë edhe të martën përmes një takimi të paralajmëruar me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha ku trojka diplomatike, zv-Ambasadorja e SHBA në Tiranë, ai i BE-së dhe i Britanisë së Madhe u mblodhen një orë në zyrën e selisë blu në prani edhe të Oerd Bylykbashit dhe Petrit Vasilit anëtarë të Këshillit Politik. Asnjë nga ambasadorët nuk komentoi pas takimit  

Si Vasili ashtu edhe Bylykbashi e bënë të qartë të hënën se konsensusi me PS-në për implementimin e ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor ishte larg.

Opozita e sheh të panegociueshme hapjen e plotë të listave dhe ruajtjen e formulës aktuale të koalicioneve, që u garanton partive kandidimin me lista të veçanta brenda të njëjti koalicion.

Në mungesë të dakordësisë, opozita propozoi në Këshillin Politik marrjen e një opinioni nga ODIHR.

“Ne, për çështje që nuk kemi dakordësi, sipas kësaj marrëveshje (marrëveshja e 14 janarit) kemi të drejtën t’i drejtohemi OSBE/ODIHR për të dhënë opinion për çështjet, kur nuk gjendet konsensus”, tha përfaqësuesi i PD në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi.

Mazhoranca ka hedhur poshtë këtë propozim me argumentin se  marrëveshja e nënshkruar më 14 janar, (që ngriti Këshillin Politik) detyron palët që t’i adresohen OSBE/ODIHR atëherë kur ata nuk bien dakord me rekomandimet e dhëna prej tyre për proceset zgjedhore në Shqipëri.

Në vend të opinionit të OSBE/ODIHR PS i kërkon opozitës që të dorëzojë në Këshill brenda 30 shtatorit propozime që nuk bien ndesh me Kushtetutën.

Një situatë e tillë parasheh një zgjidhje të njëanshme të implementimit te ndryshimeve kushtetuese për të cilën mazhoranca ka ngritur edhe një grup pune në Kuvend.

Në anën tjetër edhe nga opozita situata nuk duket fort optimiste. Edhe pse ka garantuar se pavarësisht rrethanave politike ajo do të marrë pjesë në zgjedhje, mos dakordësia për çështje që lidhen direkt më rezultatin e zgjedhjeve pritet të sjellë një situatë të tensionuar zgjedhjesh dhe aspak optimiste.

Ndaj dhe ndërkombëtarët futen sërish në lojë...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë