Ngjarje

“Ngelësit” e të gjithë botës me studentët e Tiranës

Protesta e studentëve të Tiranës është përkrahur jo vetëm nga studentët e universiteteve të rretheve, që po ashtu kanë organizuar protesta në disa qytete si Korçë, Shkodër, Elbasan, Gjirokastër e Vlorë, por edhe nga studentët shqiptarë që kanë zgjedhur universitetet jashtë vendit për studime. Studentë nga Gjermania, Turqia, Sllovakia e Franca kanë dalë në rrugë me pankarta, duke shprehur solidaritetin me bashkëmoshatarët e tyre në Tiranë. Ajna Gjyla, një studente në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka postuar në Facebook një fotografi me pankartë, ku shkruan “ Me studentët, ngelëse, Detroit, Miçigan” .


“Fakti se jam jashtë nuk më bën më pak të ndjeshme për zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe veçanërisht lëvizjen studentore”, shkruan studentja, ndërsa shton se ka qenë pikërisht pamundësia për të marrë një shkollim mirëfilli në vendin e saj, që e bëri të largohet. “Dhe jo, të larguarit nuk janë ata që ‘shpëtojnë’, sepse fundja si dhe sa mund të ‘shpëtosh’ në një vend të huaj, ku nuk mund të ndihesh kurrë në shtëpi?!”Ka qenë kjo pamundësi, shkruan Gjylja, që e ka çuar “një oqean larg shtëpisë”. “Kur shoh moshataret e mi të ngrihen për një kauzë, të jenë kaq kompakte si bashkësi dhe në kërkesa, më bën të besoj se vendi ynë ka akoma shpresë dhe se po, një ditë Shqipëria do të bëhet”.Edhe studentët jashtë vendit nuk e kanë kursyer ironinë me pankartat.

Studentët e Sllovakisë
Nga Stokholmi


Nga Stokholmi, një i ri shkruante vargjet e poetit “O shqype , o zogjt’ e maleve kallëzoni a shndrit rreze lirie n’at majë”, ndërsa studentët shqiptarë në Sllovaki të bashkuar me të rinjtë shkruanin “Këtu universitetin e kemi falas” dhe “Studentë në Sllovaki më lirë se në Shqipëri”.
Studentët në Turqi, që me ironi mbajnë pankarta ku shkruhet “Ngelësat nga Turqia, protestojnë”, shprehin mesazhin se edukimi cilësor nuk është privilegj. Disa studentë në Univeristetin Amerikan të Bullgarisë, mbledhur sëbashku në një fotografi mbanin një afishe të madhe ku shkruhej “Ikëm se menduam nuk ka shpresë, harruam që shpresa jemi ne.”

Studentët e Bullgarisë 


Nga Boni i Gjermanisë, një grup që e quajnë veten studentët e Diasporës gjithashtu janë solidarizuar shpejt. “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa 1990-2018”, “Ndryshimi nis nga arsimi” apo “Kërkesat e studentëve, arsyet e largimit tonë”. Për Deutche Welle në shqip, ata do të shpreheshin se problemet që ngrenë studentët janë reale. “Të gjitha kërkesat që studentët kanë: tarifat e larta, kushtet mizerabël në konvikte, mungesa e kartës studentore, mungesa e literaturës dhe aksesit në revistat shkencore nëpër biblioteka e të gjitha kërkesat e tjera, janë probleme reale dhe që presin zgjidhje prej shumë vitesh”, do të shprehej Erik Shpofi, një student i Ekonomisë, në Universitetin e Bonit.

Studentët në Bon, Gjermani 
Studentët në Bon, Gjermani 


Një tjetër student që ka provuar më parë auditorët e universiteteve shqiptare, përpara se të largohej drejt Gjermanisë, thotë se ka ardhur koha që të rinjtë të përdorin instrumentet demokratike, si protesta, për të drejtat e tyre. “Shpresoj shumë që protesta dhe rezistenca të vazhdojë dhe studentëve t'u plotësohen të gjitha kërkesat që kanë”, ka thënë studenti Olsi Pajo. Me karta studenti në duar, edhe studentët shqiptarë në Berlin janë solidarizuar me të rinjtë shqiptar. “Me një kartë studenti, udhëtoj në të gjithë Berlinin dhe Brandenburg, po në Shqipëri, Tiranë, lali Eri?”, shkruhej në një pankartë.


Edhe studentët shqiptarë në Francë, së bashku me shokë të tyre të huaj i janë bashkuar protestës së studentëve, duke shkruar “Jemi me ju!”“Dua t’i falënderoj të gjithë ata që kanë shprehur mbështetjen për studdentët shqiptar, jemi të barabartë si në Francë, ashtu edhe në Shqipëri. Jemi me ju dhe ju mbështesim. Meritoni shumë më shumë sesa kërkesat që keni shprehur”, do të shkruante Dalin Boriçi, student në Francë .

“Studentët shqiptarë nuk do të bëjnë kompromis derisa kauza e tyre të mbrohet: të kenë arsim të lartë të niveleve europiane me tarifa të arsyeshme, jo 1500 euro, kur paga mesatare në Shqipëri është 250 euro.” Ndërkohë që studentët në Tiranë kanë sfiduar të ftohtët e dhjetorit, duke e çuar protestën drejt ditës së dhjetë, pa pranuar dialog, siç ka kërkuar shpesh me thirrje nga rrjetet sociale kryeministri Edi Rama, deri në plotësimin e tetë pikave që ata kanë parashtruar ditë më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë