Analize

Ngec “Prespa”, shqiptarët s’pranojnë të quhen maqedonas

Partitë e vogla shqiptare në Maqedoni duket se kanë marrë në dorë fatin e marrëveshjes së Prespës. Edhe pse ka siguruar tanimë mbështetjen e disa prej deputetëve të opozitës, Kryeministri Zoran Zaev po përballet më një çështje që e kishte injoruar prej kohësh: kërkesat e partive opozitare shqiptare.

Gjatë fundjavës Zaev është takuar me kryetarin e Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, për ta bindur të mbështesë ndryshimet kushtetuese që priten të votohen në parlament brenda pak ditësh.

Arsyeja pse Besa refuzon miratimin e kësaj marrëveshjeje, është fakti se sipas ndryshimeve kushtetuese, shqiptarët do të cilësohen në pasaportat e reja si “qytetarë maqedonas të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, duke u hequr kështu identitetin e tyre, edhe pse përbëjnë gati një të tretën e popullsisë së Maqedonisë fqinje.

Ata ngulin këmbë që në pasaportat e asaj që së shpejti do të quhet Maqedonia e Veriut të hiqet fjala ‘maqedonase’ dhe që ata të quhen thjeshtë ‘qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Si Besa, ashtu edhe Aleanca për Shqiptarët kërkojnë po ashtu edhe barazi në Preambulën e Kushtetutës.

Kryeministri Zoran Zaev dhe Bilall Kasami

Takimi me Zaev duket se nuk e ka bindur Besën të ndryshojë qëndrim, pasi burime nga Lëvizja thonë për Gazetën Si se deputetët e saj nuk do të votojnë pro ndryshimeve kushtetuese në seancën e 9 janarit, nëse ato përfshijnë shtetësi maqedonase. Sipas këtyre burimeve, votimi i ndryshimeve kushtetuese do të shfrytëzohet deri në fund nga Besa për të sjellë në vëmendje problematikat e shqiptarëve të Maqedonisë, të cilat fillojnë që nga zyrtarizmi i gjuhës dhe përfundojnë me paragjykimet e forta në sferën shoqërore dhe politike.

Takimi me Bilall Kasamin e ka detyruar kryeministrin Zaev të mbledhë ekipin e ekspertëve për të shqyrtuar kërkesat e opozitës shqiptare. Ai ka shprehur gatishmëri për të gjetur gjuhën e përbashkët për zgjidhjen e çështjes së identitetit shqiptar në dokumentet zyrtare, por nuk ka komentuar nëse në parlament do të mbërrijë së bashku me ndryshimet kushtetuese, edhe ligji i gjuhës.

Përpjekje për shpërbërjen e shqiptarëve?

Edhe pse qëndrimi i Kasamit ishte surprizë për disa, kreu i Lëvizjes Besa ka paralajmëruar që në shtator, në një intervistë më gazetën Si, se marrëveshja e Prespës mund të sillte shpërbërjen e shqiptarëve, duke i cilësuar në dokumentet zyrtare si qytetarë maqedonas.

Ai deklaronte se në Shkup ka lëvizje që po punojnë për tjetërsimin e identitetit shqiptar, duke thënë se shqiptarëve atje po u thuhet se ose “do të jenë maqedonas ose Maqedonia do të marrë një drejtim tjetër nga ai i integrimit euroatlantik”.


Bilall Kasami

“Ashtu si në Kosovë edhe në Maqedoni, ka tentativa dhe fraksione që shfrytëzojnë gjithë konjukturën shtetërore dhe politike në të cilën ka udhëtuar Maqedonia ndër vite, për të përcaktuar kombësinë maqedonase si identitet etnik të të gjithë qytetarëve të saj. Kjo është shumë e rrezikshme për ne si shqiptarë pasi nuk jemi komunitet apo minoritet, jemi një popull me elemente të forta, të cilat në disa raste janë edhe me të fuqishme se ato të vetë popullit maqedonas, të cilët kanë shpesh probleme identiteti”, shprehej Kasami.

“Kjo konjukturë shfrytëzohet sa herë që flitet për drejtimin që do të marrë Maqedonia, në Lindje apo në Perëndim, apo në momentin kur në lojë futen aktorë të rëndësishëm si Rusia, për të trembur shqiptarët dhe për t’u thënë: ose do të jeni maqedonas ose Maqedonia do të marrë një drejtim tjetër nga ai i integrimit euroatlantik. Por them që më e rrezikshmja qendron brenda nesh, pasi ka edhe ide edhe tentativa të tilla nga vetë përfaqësuesit politik dhe shoqëror të shqiptarëve në Maqedoni”, thekson ai.

Sipas kreut të Lëvizjes Besa, marrëveshja e Prespës ka sjellë një dilemë të madhe për identitetin shqiptar.

“Në Shkup mbetet sfidë a do të jemi shqiptarë dhe çfarë shqiptarësh do të jemi?”, pyet ai. Ky referendum është po aq i rrezikshëm për shqiptarët po aq sa edhe i pari, në dimensionin etnik, pasi ka të bëjë me dëshirën e shtetit maqedonas për të forcuar elementin homoetnik. Prandaj them që këto janë momente kritike të tjetërsimit të identitetit tonë kombëtar. Kundërpërgjigja ndaj këtyre tentativave është më e fortë në Maqedoni, pasi në Tiranë dhe në Prishtinë këto çështje janë konsumuar me kohë”, shprehej Kasami për Si.

Këtë qëndrim duket se mbajti të dielën edhe deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli, duke kërkuar që në dokumentet e identifikimit shqiptarët duhet të quhen “qytetarë te Republikës së Maqedonisë së Veriut”, dhe se kjo duhet të jetë e shkruar në shqip.

Çfarë do të ndryshojë së bashku me emrin?

Kryeministri Zoran Zaev dhe Bilall Kasami

Brenda pak ditësh Maqedonia mund të quhet zyrtarisht “Republika e Maqedonisë së Veriut”, duke i hapur rrugën integrimit të shpejtë në BE dhe NATO.

Megjitahtë, në Maqedoni ka pak diskutime se çfarë ndikimi do të ketë ndryshimi i emrit tek institucionet qeveritare, pasaportat apo në valutën e vendit fqinj? A do të ndikojë marrëveshja tek linja ajrore kombëtare apo tek ekipet sportive? Si do të funksionojë regjistrimi i emrit të ri në institucionet ndërkombëtare dhe sa prej këtyre ndryshimeve prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë shqiptarët atje?

Marrëveshja do të kërkojë më shumë sesa thjesht përditësimin e tabelave rrugore apo dokumentet në Kombet e Bashkuara. Riemërimi do të duhet të pasqyrohet në të gjithë shoqërinë maqedonase, nga emri i agjencive qeveritare deri tek pasaportat e tij, patentat e shoferëve dhe madje edhe në monedhën e saj zyrtare. Edhe pse marrëveshja përcakton se qytetarët do të vazhdojnë të quhen maqedonas, qeveria e Zaevit nuk e kishte parashikuar kundërshtimin që mund të vinte nga qytetarët shqiptarë, shumica e të cilëve nuk pranojnë të mohojnë identitetin e tyre.

Ata kanë mbështetur me ngulm Marrëveshjen e Prespës dhe ishin të parët që dolën drejt kutive të votimit gjatë referendumit të shtatorit, por ndryshimi i dokumenteve të identifikimit (shqiptarët deri më tani janë cilësuar në pasaporta si qytetarë të Ish-republikës Jugosllave të Maqedonisë) ka të ngjarë të vështirësojë procesin.

Në vazhdën e takimeve me përfaqësuesit shqiptarë, pritet që kryeministri të takojë edhe liderin e ASH-së, Ziadin Sela. Ky i fundit bashkë me deputetin Syrija Rashidi kanë propozuar 6 amendamente që sipas tyre duhet të hidhen në votim bashkë me ndryshimet kushtetuese. Ato kërkojnë zyrtarizimin e gjuhës shqipe dhe ligjin për diasporën.

Kryeministri Zaev thotë se dy partitë shqiptare kanë vepruar në mënyrë pozitive dhe se deri më tani kanë qenë faktor konstruktiv në marrjen e vendimeve rreth amendamenteve kushtetuese, por nuk ka pranuar të komentojë nëse do t’i pranojë ose jo kërkesat e tyre.

Pa katër deputetet e Besës dhe ASH-së, shumica parlamentare së bashku me tetë deputetët e përjashtuar nga VMRO_DPMNE-ja nuk i arrin 80 votat e nevojshme për kalimin e ndryshimet kushtetuese. Në këto kushte, Zaev duket se nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të negociojë për të drejtat e injoruara prej kohësh të shqiptarëve të Maqedonisë.

Më Shumë