Ana e errët

‘Ngatërrova dokumentet me paratë’, 75 qytetarë tentuan të korruptojnë policët për 1 muaj

Gazeta Si - Postblloqet e policisë rrugore për të frenuar kundër-vajtësit, përdoruesit e telefonave në timon dhe shoferët e dehur, kanë sjellë tentativa të qytetarëve për t’u shpëtuar gjobave.

Gazetasi.al, ka raportuar mbi fenomenin e 5-mijë lekëshave në rrugë dhe frazën "merri për të pirë një kafe", por ka nga ata qytetarë që pasi dështojnë, ia lënë fajin keqkuptimit.

Sipas një burimi të policisë në rrugën drejt Shkozës, policia konstatoi shtetasin H.V., që po drejtonte makinën tip “Kia”.

Polici me inicialet A.T., i cili ishte në patrullim në këtë segment, i ka kërkuar drejtuesit në fjalë që të ndalonte, duke i kërkuar më pas dokumentacionin.

“Ky shtetas, denoncon punonjësi i policisë, - pasi më ka dorëzuar dokumentet që i kishte që të gjitha në rregull, kur po i shfletoja, vura re në mes të tyre një 5 mijë lekësh me numër serie an46435”.

Menjëherë, sapo ka vërejtur kartëmonedhën, polici ka ndërprerë komunikimin me qytetarin, duke kërkuar përforcime në radio, për të prangosur shtetasin në fjalë për akuzën e korrupsionit sipas nenit 244 të Kodit Penal.

“Ia bëmë me dije qytetarit edhe arsyen, duke iu shprehur se kërkonim dokumentet dhe se ai do t’i nënshtrohej testit të alkoolit.

Ai na tha që e kishte kthyer një gotë, por që nuk ishte i dehur dhe kur po bënim gati dragerin, na la në dorë dokumentet”, shton polici tjetër në detyrë.

Por megjithëse drejtuesi i kishte në rregull dokumentet dhe testi i dragerit ka dalë 00, ai është përpjekur t’i korruptojë policët me 5 mijë lekë që mos t’ia vështirësonin jetën.

“Qytetari kishte dyshime nëse ishte apo jo i dehur, sepse tha kishte pirë pak. Por paratë që la në dokumente ishin shenjë e qartë që po kërkonte të na blinte dhe të shkonte në punën  e tij”, - komenton polici në çastin e parë kur aty mbërritën patrullat për të mbështetur dy oficerët e qarkullimit  rrugor të Tiranës.

LEXO EDHE:
‘Një kafe për shefin…’ për të shpëtuar nga halli. Si tentojnë qytetarët të korruptojnë policinë

Ashtu siç bëjnë me dije burime të policisë rrugore për Gazetasi.al, numri i të shoqëruarve në kryeqytet, brenda një muaji, 75 shtetas, midis tyre edhe gra u përpoqën të joshin policët në rrugë me shuma të ndryshme.

Një pjesë e tyre janë vërejtur me telefon dhe të tjerët në gjendje të dehur apo nën ndikimin e alkoolit.

Përpos kontrolleve që synojnë minimizimin e aksidenteve rrugore dhe që janë vërejtur të shtuara gjatë këtij muaji në kryeqytet, policia i thotë Gazetasi.al se ka vendosur edhe një pajisje test-drogues për shoferët.

Por numri i atyre që janë kapur në timon nën ndikim të lëndëve psikotrope, është i papërfillshëm.

Sa i takon qytetarit që i kishte të gjitha në rregull, edhe pse ai i dha para, policia përmend rrëfimin e tij.

“Ndalova dhe hapa krahun, pasi punonjësit e policisë më kërkuan dokumentet dhe do kryenin testin e alkoolit.

Në momentin që policët kanë hapur letrat, unë kisha pasur edhe një kartëmonedhë pesë mijë lekëshe që nuk e kisha vënë re që e kisha aty, pasi nuk para mbaj kuletë”.

Drejtuesi justifikohet duke thënë se, “duhet të kem ngatërruar dokumentet dhe nuk e sqaroj dot se pse gjendeshin paratë aty. Rrjedhimisht nuk kisha asnjë arsye të korruptoja policët, pasi i kisha të gjitha në rregull”, - insiston qytetari.

Ai thekson, sipas burimeve të Gazetasi.al, se iu bind patrullës kur i bënë testin e drogës dhe alkoolit.

Madje bëri shaka me ta, duke iu thënë “kam pirë pak”, ndërsa në të vërtetë ishte esëll.

“Më vjen keq për keqkuptimin që ka ndodhur”, - tha në komisariat i riu, i cili pavarësisht kësaj deklarate u procedua për korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë