Ana e errët

‘Një kafe për shefin…’ për të shpëtuar nga halli. Si tentojnë qytetarët të korruptojnë policinë

Gazeta Si - Mund të besohet se gjatë bisedës mes një përfaqësuesi të shtetit dhe një qytetari, tema e asaj që po flasin është një ftesë në kafe. Por realisht ftesa për kafe nënkupton një pagesë për shërbimin. "Është gjerësisht e përdorur", deklaron një zyrtar i policisë në versionin “të të jap një kafe” apo “pi një kafe”. 

Dosjet e policisë, kryesisht të qarkullimit rrugor, e provojnë këtë opsion me gjithçka që iu vendos në dispozicion Gazetasi.al.

“Unë e vura në dijeni drejtuesin e mjetit se do t’i nënshtrohej testit të alkoolit, sepse pas testit të parë, doli me 0,16 miligramë. Drejtuesi i mjetit më tha: ‘Të të jap një kafe, lëre këtë punë ta rregullojmë me kafe’“, - kështu e nis rrëfimin oficeri I policisë, E.K., i cili gjendej me shërbim në rrugën e Kastriotëve. 

Polici e vërejti makinën “Benz”, duke udhëtuar në mënyrë të çrregullt  dhe i bindur se shoferi duhet të kishte probleme, i bëri shenjë për të ndaluar. Ashtu siç ai e priste, shoferi ishte në gjendje të dehur.

Shkeljet e para që vërejti polici ishin në dokumentacion, pasi 28-vjeçari B.Sh., u konstatua se udhëtonte pa policë sigurimi. Shkelja e dytë, që për policin rrugor ishte evidente, kishte të bënte me përdorimin e alkoolit, me të cilin 28-vjeçari e kishte tejkaluar.

Polici shton në deklaratën e tij përpara kolegëve, se pasi 28-vjeçari e ftoi për kafe me frazën që ai e ka dëgjuar shpesh, është sjellë sikur të mos e kishte dëgjuar. “Ky person u afrua drejt vendit ku isha planizuar, futi duart në xhepin e pantallonave dhe nxori një kartëmonedhë 100 mijë lekëshe, duke thënë: ‘Merre këtë kafen, e rregullojmë’”.

Drejtuesi i mjetit ja futi paratë në xhep policit, i cili kujton në kallëzimin e tij që e denoncoi qytetarin, se tentoi ta korruptonte. “Nxora paratë nga xhepi dhe e pyeta përse ma jep këtë? Ai u justifikua duke thënë se është kafe, pije kafe”. Më tej, ajo që ndodhi sipas policisë, është ajo që po iu ndodh përditë qytetarëve në rrugë.

“E vura në dijeni se ky veprim është tentativë për korrupsion ndaj një oficeri, mora radion dhe njoftova kolegët që të vepronin”, - shton polici, i cili u bë iniciator i shoqërimit në komisariat të të riut.

Punonjësi i policisë, sipas burimeve të Gazetasi.al, njoftoi sallën “eklipsi” për tentativën e qytetarit që e ftoi për kafe, duke i futur paratë në xhep.

“Pas disa minutash, aty mbërriti një patrullë e komisariatit numër 6, - thonë burimet e policisë së komisariatit në Kombinat, - dhe kryen shoqërimin e të riut nën veprën e korrupsionit aktiv”.

Çfarë thonë ata që “paguajnë kafenë”?

“Jam i stresuar psikologjikisht”, dëshmoi menjëherë sapo mbërriti në drejtori 28-vjeçari. Ai ka tentuar të prekë oficerët e policisë, duke ju kujtuar problemet që kishte dhe se qëllimi i tij nuk ishte korruptimi.

“Jam lavazhier dhe kam një mal me halle. Nuk desha ta korruptoj efektivin, por ngaqë jam i ngarkuar psikologjikisht, desha ta ftoj për kafe, kështu që këtë frazë ai e ka keqkuptuar me korruptim. Nuk e mbaj mend t’i kem futur para në xhep policit, por jam shumë I penduar për veprimin që kam kryer”, - dëshmon para policëve i dyshuari.

Por kafe ofrohet edhe kur je arrestuar

“Më lini të iki, do ju jap lekë dhe jo euro për kafe, pasi nuk kam euro. Do ju jap kafe”. Kështu u lut shtetasi N.G., i cili teksa po punonte arën me misër, aty ia behu një patrullë policie që e gjeti duke punuar edhe disa rrënjë në kubikë të dyshuar si kanabis sativa.

Megjithëse këtij shtetasi iu hodhën prangat në flagrancë, ai ka provuar në furgonin e policisë që t’i joshë policët me ftesën e parave, që nënkuptonte pesë milionë lekë të vjetra.

I lindur në Vilëz, të Zallbastarit 58-vjecari u vu në pozitë përpara policisë lokale, jo vetëm për akuzën e kultivimit të drogës, por nga dëshmitë e policëve ndaj tij u adresua edhe vepra e korrupsionit aktiv.

Në një raport shërbimi policor, thuhet se ndaj këtij shtetasi, akuza kryesore është ajo e mbjelljes së 20 rrënjëve kanabis të fshehura në arën me misër.

Grupi i hetimit deklaron se banori pranoi se deshi t’u japë kafe oficerëve, por kundërshtoi që droga t’i përkiste atij.

“Desha t’i qeras oficerët, pasi ishin lodhur duke ecur në mal dhe kam thënë 5 lekë, jo 5 milionë, siç e kuptuan policët”.

Grupi i hetimit thekson se menjëherë sapo ai e ka pranuar këtë fakt, oficerët e kanë ndërprerë pyetjen e tij, duke qenë se nuk kishte më rolin e deklaruesit dhe se duhej që çdo gjë që do të thoshte, duhet ta rrëfente në prani të avokatëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë