Futboll

Nga Vlora në Kinë, Albi Alla largohet nga Flamurtari pas 6 muajsh

Yanbian Funde është ekipi i ri i Albi Allës, mbrojtësit që ishte pjesë e Flamurtarit këtë sezon. Ai e ka mbyllur tashmë aventurën e shkurtër vlonjate për t’u transferuar në kampionatin kinez. Lajmi është bërë i ditur nga vetë futbollisti, i cili ka bërë një postim në rrjetet sociale për të falënderuar publikisht drejtuesit e Flamurtarit, shokët e ekipit dhe tifozët vlonjatë.


Albi Alla kaloi verën e kaluar nga Kukësi te Flamurtari, por me këtë ekip nuk ka pasur një aktivizim të rregullt për shkak të disa dëmtimeve. Trajneri Ilir Daja e konsideronte një titullar të rëndësishëm, por nuk duhet ta llogaritë më për 14 javët e mbetura të kampionatit. Skuadra e re e Allës, Yanbian Funde, është pjesë e kategorisë së dytë kineze. Në këtë transferim ka ndikuar patjetër oferta e mirë financiare, që e ka joshur mbrojtësin 26-vjeçar të transferohet në Kinë. Të njëjtën synon të bëjë edhe një tjetër titullar i Flamurtarit, argjentinasi Agustin Torasa. Por për këtë të fundit situata është pak më ndryshe.

Albi Alla gjatë një ndeshjeje me Flamurtarin

Drejtuesit e klubit vlonjat nuk i krijuan asnjë pengesë Albi Allës për kalimin në Kinë, ndërsa për Torasën ata nuk kanë vendosur ende t’ia japin lejen e kalimit. Mbetet për t’u parë, nëse te Flamurtari do të ndryshojnë qëndrim dhe do të veprojnë si me Allën edhe në rastin e argjentinasit, apo do ta mbajnë këtë të fundit në skuadër deri në fund të këtij sezonit. Pa dyshim që Flamurtari, me largimin e këtyre dy futbollistëve, humbet shumë në mbrojtje dhe mesfushë. Nga vlonjatët ka pasur shumë largime kohët e fundit. Më parë kanë lënë Vlorën edhe Danilo Alvesh, Tomisllav Bushiç, Goran Siljanovski, Alesio Hyseni dhe Muhamedin Useini, thuajse të gjithë titullarë. Afrimi i vetëm është Lejdi Liçaj.

Në Kinë kanë luajtur më parë ish-futbollistët e Kombëtares, mbrojtësi Nevil Dede, sulmuesi Hamdi Salihi dhe së fundit Valdet Rama, i cili i është bashkuar Kukësit pak javë më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë