Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se miratohet sot buxheti i vitit 2020, i cili vjen me një rritje prej 11% krahasuar me buxhetin e vitit 2019. Duke iu referuar pikërisht buxhetit, Veliaj tha se viti që vjen do të jetë një tjetër vit i mbarë për Tiranën, me shumë punë, shumë projekte që do të na çojnë një hap më pranë objektivit për të ndërtuar Tiranën e gjeneratës tjetër.
“Jam i bindur se 2020-ta do të jetë një vit i mbarë dhe i paharruar për qytetin tonë. Jemi mbledhur këtu sot, që të marrim disa vendime të rëndësishme së bashku. Na presin shumë punë të mira, që duan shumë energji, vullnet e këmbëngulje për të vijuar në rrugën e drejtë të transformimit të Tiranës. Sot miratojmë buxhetin më të madh në 100 vjet të Bashkisë së Tiranës dhe Buxhetin e 100 vjetorit të Tiranës Kryeqytet. Lajmi i mirë për të gjithë qytetarët është se edhe buxheti i vitit 2020 është sërish buxheti më i lartë që ka pasur ndonjëherë Bashkia e Tiranës, i rritur me 11% në krahasim me vitin e kaluar, duke sjellë kështu më shumë investime për ata që kanë vendosur ta quajnë Tiranën shtëpinë e tyre të madhe”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj deklaroi ndër të tjera se në vitin 2020 do të realizohen një sërë projektesh si Teatri Kombëtar, Piramida, Unaza e Madhe, zgjerimi i Lanës, etj.
“Jam i vendosur, unë besoj dhe ju që t’i shkojmë deri në fund çdo projekti që transformon Tiranën dhe e bën atë më të mirë për fëmijët tanë. Megjithatë, kemi parë shpeshherë që për çdo projekt madhor të Tiranës, si dikur, protestat te këndi i lodrave e lodrat te Liqeni apo Sheshin Skënderbej, të ngrihen çeta me individë që duan të ndalojnë punët e qytetit”, tha ai.
Po ashtu, kreu i bashkisë bëri të ditur se të gjithë autobusët ndërqytetas që qëndrojnë te ish-Dogana, do të zhvendosen te kthesa e Kamzës, aty ku po shtrohet terreni për t’i hapur udhë ndërtimit të Terminalit të ri, por njëkohësisht edhe vijimit të punës për ndërtimin e Unazës së Madhe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.