Futboll

Nga Shkëndija te Crvena Zvezda, kundërshtarët e Partizanit në Champions

Partizani nuk është i favorizuar në shortin e 18 qershorit për turin e parë eliminator të Champions League. Kampionët e rinj të Shqipërisë bëjnë pjesë në vazon e dytë për shkak të koeficientit të ulët në kompeticionet evropiane, kështu që kundërshtari i tyre i mundshëm në këtë tur i takon të jetë më i fortë, me ndonjë përjashtim. Të kuqve u duhet shumë fat në short, që të kenë mundësinë ta kalojnë turin e parë.

Klubi kryeqytetas ka publikuar në faqen e vet listën me ekipet kundërshtare të Partizanit në turin e parë të Championsit. Në vazon e parë bëjnë pjesa skuadra me shumë emër si Selltik Gllasgou, Rosenborg, Crvena Zvezda, Maribor etj. Me të tillë kundërshtarë, shanset e Partizanit janë minimale në letër, por janë edhe disa skuadra të tjera, që të kuqtë mund t’i kalojnë. Bëhet fjalë për kampionët e Uellsit, Nju Seints, kampionen e Lituanisë Saduva dhe kampionen e Luksemburgut Dedelanzh. Edhe skuadrat e Europës lindore si Karabak, Sherif Tiraspol, Astana dhe Bate mund të kalohen, edhe pse vitet e fundit në këto kampionate po investohet shumë.

Kundërshtarët e mundshëm të Partizanit në Champions

Interesant është fakti që kampionët e Shqipërisë mund të ndeshen me një tjetër ekip shqiptar në Champions, me kampionët e Maqedonisë së Veriut, Shkëndijën e Tetovës. Është një kundërshtar i mundshëm në short, ashtu si dhe serbët e Crvena Zvezdës, një ekip shumë i fortë. Përballja e mundshme me ekipin serb do të përjetohej ndryshe, siç ka ndodhur në sfidën e Shqipërisë me Serbinë, kur ishin në të njëjtin grup eliminator, por edhe në sfidën mes Skënderbeut dhe Partizanit të Beogradit në Europa League.
Drejtuesit e Partizanit dhe tifozët e tij shpresojnë të ketë pak fat, që të ndeshen me një nga kundërshtarët më të lehtë dhe të kualifikohen në turin tjetër, duke rritur kështu të ardhurat financiare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë