Kombetarja

Nga Reja te Sushiç, shtohen kandidatët për stolin e Shqipërisë

Trajneri i ri është çështja e momentit te kombëtarja shqiptare, edhe pse është thënë se vendimi do të merret pas ndeshjes me Andorrën. Megjithatë, shtypi bën punën e vet dhe lista e kandidatëve për pasuesin e Kristian Panuçit sa vjen dhe shtohet.

Edi Reja, ish-trajneri i Lacios dhe Napolit është një kandidat potencial. Ai ishte i pranishëm në Shkodër, ku ndoqi ndeshjen me Turqinë dhe u takua edhe me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, por më pas pohoi se ishte në atë ndeshje për të ndjekur nga afër disa lojtarë. Me sa duket, nuk paska qenë tamam kështu, sepse në Reja ka folur për "Cittaceleste" dhe ka saktësuar se të martën do të vendosë, nëse do të drejtojë Shqipërinë apo jo. Pra, pas ndeshjes me Andorrën. Kuptohet që ai do të marrë në konsideratë rezultatin e kësaj ndeshjeje dhe më pas do të marrë një vendim.

Edi Reja, një nga kandidatët kryesorë për stolin e Shqipërisë

Reja nuk është kandidati i vetëm për stolin e Shqipërisë. Pas shkarkimit të Panuçit, një nga emrat më të përfolur ishte ai i Besnik Hasit, ish-futbollistit të kombëtares kuqezi, që aktualisht drejton një ekip në Arabi. Orët e fundit ka dalë në skenë edhe Safet Sushiç, ish-trajneri i suksesshëm i Bosnjë Hercegovinës, që e çoi për herë të parë këtë kombëtare në një Botëror. Lajmi ka dalë nga shtypi boshnjak dhe për momentin është vetëm një hipotezë. Një tjetër emër i përmendur nga shtypi sportiv është Luixhi De Kanio, i cili ka drejtuar disa skuadra në Serinë A.

Me siguri që do të ketë edhe emra të tjerë trajnerësh që do të qarkullojnë në këto orë të fundit. Pas ndeshjes me Andorrën, kjo çështje do të ketë marrë një zgjidhje zyrtare. Mbetet të shihet, nëse presidenti Duka do t'i besojë sërish një trajneri italian, apo mund të kemi një shkollë tjetër trajningu, atë sllave për shembull, nga e cila vjen Safet Sushiç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë