Futboll

Nga Pushkash te Maldini dhe Injiesta, sa shumë mite pa ”Top të Artë”!

Nga Riva te Pushkash, lista është shumë e gjatë, por janë të paktën 4 asa që ndoshta padrejtësisht kanë mbetur pa këtë trofe prestigjioz individual.

Nëse fitues nuk do të jetë ai, Robert Levandovski mund të ngushëllohet. Sulmuesi i Bajernit të Mynihut nuk do të ishte vetëm, do të ishte i fundit në një listë të gjatë kampionësh, që “Topin e Artë” nuk e kanë fituar, edhe pse janë konsideruar mite të historisë së futbollit.

Shembulli më i mirë është ai i Andres Injiestës në 2010-ën, por edhe i Zllatan Ibrahimovicit, fitues i 8 titujve radhazi në 3 vende të ndryshme dhe me 5 skuadra të ndryshme.

Ferenc Pushkash, ish-lojtari i madh hungarez. Gazeta Si, 29 nentor 2021

Pastaj është edhe kapitulli i mbrojtësve qendrorë. I fundit që u zhgënjye ishte Van Dijk në 2019-ën, por lista edhe këtu është e gjatë, nga Barezi te Nesta, nga Maldini te Serxhio Ramos, të cilit nuk i kanë mjaftuar as golat “e rëndë” në finalet e Ligës së Kampionëve për të mposhtur dyshen Mesi-Ronaldo.

Më parë nderi i ka takuar vetëm Fabio Kanavaros, ndërkohë që asnjë portier, as Bufon dhe as Shmeikel, as Xof dhe as Nojer nuk kanë mundur të barazojnë rusin Lev Jashin, i cili e ka fituar “Topin e Artë” në vitin 1963.

Nga legjendat italiane, Riva, Macola dhe Faketi nuk ia kanë dalë ta fitojnë trofeun, ashtu si dhe hungarezët e Realit dhe Barcelonës, Pushkash dhe Kubala. Janë edhe emra të tjerë të kohëve të fundit, si Raul dhe Stiven Xherard, edhe pse kanë fituar Ligën e Kampionëve.

Serxhio Ramos ka fituar gjithçka me Realin dhe Spanjen. Gazeta Si, 29 nentor 2021

Ka edhe një kategori tjetër lojtarësh, ata që e kanë fituar trofeun, por nuk kujtohen si “të mëdhenj” për këtë fakt. Igor Bjelanov e ka fituar në 1986-ën dhe 3 vite më pas luante në kategorinë e dytë gjermane. Majkëll Ouen triumfoi 22 vjeç, ndërsa suksesi i Matias Samer në 1996-ën i surprizoi të gjithë.

Nëse nuk do jetë ai fituesi, Levandovski mund të ngushëllohet, sepse nuk duhet “Topi i Artë” për të qenë në historinë e futbollit. Bufon, Maldini, Injiesta dhe Ibrahimoviç janë dëshmitarët më të mirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë