Futboll

Nga Osmani te Gavazaj, të fundit nga merkato e Superiores

Kjo verë është ndër më të varfrat sa i takon merkatos së klubeve të Superiores. Ndodh për shumë arsye, por ndër më kryesoret është se mungojnë në “apel” këtë verë dy skuadra si Skënderbeu dhe Flamurtari, që vitet e fundit kanë bërë më shumë lëvizje si të tjerët. Korçarët janë të dënuar nga UEFA dhe në këtë moment është vënë seriozisht në rrezik e ardhmja e ekipit e jo më të mendohet për merkato. Vlonjatët nuk janë të dënuar, por kanë probleme të mëdha me borxhet, kështu që nuk mund të blejnë.

Gjithsesi, disa afrime sporadike janë bërë ditët e fundit edhe në Superiore. Tefik Osmani la Teutën për t’u ribashkuar me Tiranën, që pavarësisht se kërcënohet nga sektori i licencimeve, - edhe ajo për borxhet e pashlyera, ashtu si Flamurtari, - këtë verë ka bërë disa afrime interesante. Osmani e njeh mirë ambientin bardheblu, pasi ka fituar edhe titullin kampion me fanellën e Tiranës. Me afrimin e tij, trajneri Ardian Mema fiton më shumë përvojë në mbrojtje dhe tani është në kërkim të një sulmuesi. Më parë Tirana ka afruar lojtarë si Torasa, Kale dhe Batha, të cilët sezonin e fundit luajtën me Flamurtarin, si dhe sulmuesin Dunga nga Luftëtari.

Tefik Osmani, i rikthyer te Tirana

Një lëvizje mjaft interesante është rikthimi i Enis Gavazajt në Superiore, ku ai do të veshë fanellën e Kukësit. Ish-lojtari i Kombëtares kërkohej nga kuksianët, që tashmë duket se kanë arritur marrëveshjen me presidentin e Skënderbeut, Ardjan Takaj, pasi kartonin e kosovarit e ka pasur klubi korçar. Kukësi është në kërkim të trajnerit të ri që pas eliminimit nga Liga e Europës dhe gjasat janë që Ilir Daja të ulet në stolin e lënë bosh nga Ernest Gjoka. Kukësi ka afruar më parë mbrojtësin Kitanovski, mesfushorin Musta dhe sulmuesin e ri Çema, ndërkohë që ka pasur shumë largime, ku dy të fundit janë Çyrbja dhe Rama, edhe pse ky i fundit ende jo zyrtarisht.

Partizani i ka bërë lëvizjet e merkatos më shpejt se të tjerët, duke larguar fillimisht ata lojtarë që ishin jashtë projektit, për të afruar shumë të huaj, për të cilët duhet kohë që të kuptohet sa sa të vlefshëm do të jenë por klubin e kuq. Drejtuesit e Partizanit tani më shumë po mendojnë për shitjet, ku më të kuotuarit mbeten Asani, Mala dhe Trashi. Edhe Teuta ka ndjekur të njëjtën strategji, me lëvizje të shpejta, pasi edhe kjo skuadër luante në Ligën e Europës. Laçi, si gjithmonë, bën pak ndryshime. Luftëtari është në krizë, Bylisi ende nuk ka bërë ndonjë goditje, ndërsa te Vllaznia situata është mjaft kaotike. Administratori aktual, Suad Lici, ka firmosur ardhjen e trajnerit maqedonas Mirsad Jonuz dhe disa lojtarëve, por ndryshimet në pushtetin vendor në Shkodër, prej të cilit varet skuadra e futbollit, mund të zhvlerësojnë gjithçka. Pranë Vllaznisë për momentin është edhe ish-kapiteni i Luftëtarit, Behar Ramadani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë