Futboll

Nga lotët e Gegës te batutat e Demit e Ramës, një titull i shijuar në shpirt

Tapeti i blertë e “Selman Stërmasit” nuk kishte mbajtur ndoshta kurrë aq shumë njerëz më parë. Në pak sekonda fusha u pushtua nga tifozët e Partizanit, të cilët kishin një arsye të fortë për të festuar: kishin 26 vite që prisnin titullin kampion. Ishin aq të gëzuar sa nuk u bëhej të iknin nga fusha, përqafonin njëri-tjetrin, lojtarët dhe drejtuesit mes lotësh gëzimi.


Lotët nuk i përmbajti dot as njeriu më serioz në klubin e kuq, trajneri Skënder Gega, i cili jo vetëm në fushë, por edhe duke folur “live” për një televizion, u mallëngjye për realizimin e ëndrrës së tij që në momentin që mori drejtimin e Partizanit: rikthimin te titulli kampion. Trajneri i të kuqve, me një rol thelbësor në suksesin e shumëpritur, u shpreh se ekipi i tij largoi çdo paragjykim dhe triumfoi bindshëm kampionatin. Një titull i ndjerë thellë në shpirt nga ish-lojtari i Partizanit, ashtu si nga shumë e shumë tifozë të kuq kudo në vendin tonë. I përlotur edhe mbrojtësi Egzon Belica, i cili pak ditë më parë humbi babanë e tij dhe nuk mundi të festonte këtë titull bashkë me të.

Festa e tifozëve të Partizanit pas derbit me Tiranën, 2-1


I papërmbajtur në festime Reinaldo Kalari, i cili bëri rolin e kryeultrasit pas fitores në derbi dhe zyrtarizimit të titullit. Lorenc Trashi mbeti vetëm me mbathje në fushë, sepse tifozët ia morën uniformën si një “trofe” për të kujtuar këtë titull të veçantë, i 16-i në historinë e Partizanit. Trashi cilësoi harmoninë në ekip si çelësin e suksesit të Partizanit, ndërsa “heroi” i derbit, Erald Çinari, u tregua pak lokalist, duke thënë se ekipet kampione kanë gjithmonë shkodranë në përbërje. “Ushtari” Bruno Telushi, një nga titullarët më me peshë të ekipit, vlerësoi sakrificën dhe frymën e grupit.

Pak më “të ftohtë” në deklarata e tyre publike presidenti Gaz Demi dhe drejtori i përgjithshëm i klubit, Olsi Rama. Megjithatë, i pari i klubit të kuq, duke folur me radhë për të gjithë protagonistët e titullit, duke dhënë vlerësimin e tij sidomos për trajnerin Gega, nuk e kurseu batutën për rivalin e përjetshëm. “Kur të iki unë nga Partizani, Tirana do të fitojë derbin”, – thumboi presidenti i Partizanit. Një batutë ka ardhur edhe nga Kryeministri Edi Rama, i cili ka ngacmuar zëvendësin e tij Erjon Braçe. “Mua më mbeti vetëm kampionati italian këtë vit, ndërsa zëvendësi im juventin fitoi edhe këtë shqiptarin”, – shkruante Kryeministri Rama.

Drejtori Olsi Rama, si gjithmonë, me këmbë në tokë, u shpreh se që tani po mendon për Partizanin europian, sepse ekipi ka nevojë të përforcohet për Kupat e Europës. Ai është i vetëdijshëm për koeficientin e ulët të Partizanit, që do të thotë se kundërshtarët në short do të jenë më të fortë. Për këtë arsye nuk ka bërë premtime euforike. Tani, pas fitimit të titullit, objektivi kryesor i drejtuesve të kuq është përfundimi i punimeve të kompleksit, sepse një ekip kampion nuk mund të endet sa andej-këndej. Në “Selman Stërmasi” Paertizani bëri vetëm festën “e vogël”, sepse festa zyrtare, që pritet të jetë madhështore, është ende në organizim e sipër.

 

Më Shumë