Politike

Nga lobi serb në SHBA dhe sms e diplomatit, Meta hap “letrat” e tij. Premton ndryshim kursi

Nga e marta, Kreu i Shtetit, Ilir Meta u zotua se do të sillet si president i modelit danez (edhe pse Danimarka ka një mbretëreshë). Por deri të martën, Ilir Meta foli i mllefosur për shumëçka lidhur me klasën politike shqiptare dhe të huajt.

Për Edi Ramën, Lulzim Bashën e deri tek roli i ndërkombëtarëve në raport me reformën në drejtësi.

Ilir Meta hapi letrat e tij, siç kishte dëshirë ta theksonte këtë gjë në “Opinion” për të treguar gjithë pakënaqësinë e tij ndaj lobimeve ndërkombëtare kundrejt reformës e deri tek tezat e forta se kryeministri Edi Rama e prishi Teatrin për të sjellë destabilizim, pasi, sipas tij, ai punon për lobin pro serb në Uashington.    

“Lobit serb në Uashington i intereson përplasja civile dhe destabilizimi në Shqipëri. Kam shume prova dhe dokumenta që do i bëj publike në kohën e duhur. SMS që u bë publike sot do duket pa vlerë në raport me to. Do flas në të ardhmen dhe në kohën e duhur…”, tha Meta në Opinion.

“Nuk kishte kohë për të pritur të dilnim nga pandemia sepse kemi të bëjmë me një skenar për trazira dhe përplasje në Shqipëri dhe kjo ka në sfond edhe zhvillimet rajonale… Për arsye të brendshme që të provokojë opozitën, të ikë nga çështja e Kodit, të harrojë 15 kushtet e BE-së. Ka marrë një porosi të destabilizojë, të nxehë situatën në Shqipëri. Lobit shumë të fuqizuar pro serb në Uashington siç i interesonte edhe vjet përplasja për zgjedhjet lokale…”, sqaroi Meta për Edi Ramën.

Gjatë gjithë emisionit, Meta shfaqi një pakënaqësi të hapur jo vetëm ndaj ndërkombëtarëve dhe kryesisht atyre që kanë luajtur rol në reformën në drejtësi, por edhe ndaj kryetarit të opozitës Lulzim Basha. Andaj nga e marta ai premton ndryshim kursi.

“Nga dita e nesërme do të shikoni një President tepër institucional që nuk do të përfshihet me këto, një president që do të zbatojë Kushtetutën e këtij vendi, një president që nuk do të përfshihet me biseda të tilla, me Ramën i hapur në çdo kohë për takime zyrtare me dëshmitarë, po kështu edhe me Bashën me dëshmitarë, me ambasadoren amerikane vetëm takime zyrtare me dëshmitarë dhe me ambasadorin e BE-së. Nesër do të jem shumë institucional…”, tha Meta.

Edhe opozita. sipas tij, tanimë duhet t’i zgjidhe vetë çështjet e veta.

“Nuk më ka dëgjuar (Basha) për Kuvendin (kur dolën) për platformën e reformës në drejtësi, u kam thënë ky kërkon ta kapë dhe ju nuk mund ta lini, nuk më kanë sjellë deri më sot asnjëherë asnjë platformë…, nuk kam asnjë detyrim ndaj opozitës”. Meta tha gjithashtu se Basha nuk e mbajti fjalën edhe kur i premtoi atij se do të futej në zgjedhjet lokalë të Tetorit.

Meta foli për lojëra të ndërkombëtarëve në raport me reformën në drejtësi, duke thënë se ai u ka dërguar atyre dhjetëra qindra letra me protokoll që i drejtohen si Ambasadës Amerikane, asaj të BE-së. EURALIUS dhe OPDAT.

“Atyre ndërkombëtarëve që janë bërë palë me Ramën ia kam vënë unë gishtin sy më sy, e po deshe i them edhe këtu”, tha Meta.

Ai tha se për të mbrojtur sovranitetin dhe Kushtetutën do t’i dërgojë letra Departamentit të Shtetit, dhe departamenteve të tjera.

Meta nënvizoi se nuk ishte ai targeti nga Ambasadorja Yuri Kim, pasi, sipas tij, ai nuk është aktor politik. “Aktor politik është vetëm Edi Rama”  

Presidenti i Republikës bëri publike mbrëmë edhe SMS-në e një diplomati të huaj në Tiranë kur diskutohej çështja e Gjykatës Kushtetuese.

SMS e nje nderkombetari qe Meta publikoi

“Ky mesazhi këtu është se si funksionojnë diplomatët në Tiranë. Nuk e ka nisur me emrin e tij, por në emër të Ambasadës Amerikane dhe Bashkimit Evropian. Ka qenë në takimin që unë kam pasur. Në darkë nuk i kishin të qarta opinionet. ‘Mirëmëngjesi Beni! Biseduam me Ramën në telefon dhe zyrat ligjore të SHBA dhe BE nuk e mbështesin pozicionin e Presidentit për pezullimin. Kemi rënë dakord që kur të dalin ata të mos i bjerë të fikët Presidentit. Ramë dakord me Ramën që Marsida Xhaferllari të jetë në listën tjetër dhe Rama nuk do të përpiqet ta bllokojë”. Ky është mesazhi i një diplomati që ishte në takim në darkë me mua dhe që ishte shumë korrekt. Aty është qëndrimi i tyre”, rënditi Meta


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë