Futboll

Nga karrigia me rrota te Real Madrid, përralla e mbrojtësit francez

Një histori e bukur e vullnetit, forcës së brendshme dhe kurajës. Një histori e bukur njerëzore, jo vetëm futbollistike. Është historia e Ferland Mendi, mbrojtësit 24-vjeçar nga Franca, i cili sapo ka firmosur me Real Madridin një kontratë deri në vitin 2025. Për ta marrë ketë futbollist nga Lioni, madrilenët kanë shpenzuar 48 milionë euro, pa llogaritur bonuset. Deri këtu asgjë nuk është ndryshe nga shumë lojtarë të tjerë të talentuar. Ndryshe është fëmijëria e Ferland Mendi, që shumë vite më parë rrezikonte të mos ecte më dhe jo më të luante futboll.

Në moshën 14-vjeçare, Mendi vuante nga një formë artriti dhe mjekët që e operuan i thanë se nuk do të mund ta realizonte ëndrrën e tij për t’u bërë futbollist. Përkundrazi, gjendja e tij kishte arritur në atë pikë, sa vihej në dyshim edhe nëse do të ecte. “Kam qëndruar në karrige me rrota për pak kohë, kam kaluar 6-7 muaj në spital për fazën e rehabilitimit. Kështu, ia dola të ecja sërish”, - ka rrëfyer francezi i emocionuar. Por jo vetëm kaq. Mendi rifilloi të luante futboll. Pak vite më parë luante në kategorinë e dytë të kampionatit francez, me Le Havren, as që e mendonte që do ta shihte veten në Madrid një ditë. “Kam qenë gjithmonë i lumtur dhe i qetë, - ka treguar futbollisti për “L’Equipe”. – Me gjithë atë që kam kaluar, kam kuptuar se duhet shijosh në mënyrën më të mirë jetën. Duhet të bësh gjithmonë gjërat që të pëlqejnë”.

Ferland Mendi prezantohet te Real Madrid

Mendi është rritur në qytetin e vogël të Ecquevilly, 35 kilometra në veri të Parisit. Është pjesëtar i një familjeje të madhe. Ka tre vëllezër dhe katër motra. U fut në sektorin e të rinjve të PSG-së kur ishte 9 vjeç, ku është stërvitur nga Yves Gergaud, i cili e kujton si një djalosh të mbushur me gëzim për jetën. Fillimisht, Mendi luante si sulmues i krahut të majtë, më pas u spostua në mbrojtje. “E para gjë që vura re, ishte teknika e tij dhe raporti i mirë që kishte me topin. Ishte një driblues shumë i mirë, - kujton Gergaud. – I kalonte lojtarët kundërshtarë me lehtësi, falë teknikës dhe shpejtësisë që zotëron. Ishte shumë, shumë i shpejtë”.

Pas tre sezonesh me Le Havre dhe dy sezonesh me Lionin, ku ka luajtur 79 ndeshje dhe ka shënuar 3 gola, ka marrë ftesën për në kombëtaren e Francës. Ka debutuar me fanellën e “gjelave” nëntorin e kaluar dhe deri tani numëron 4 ndeshje me Francën. Tani ka shansin e madh të arrijë majat e futbollit europian me Real Madridin. Çfarë përralle!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë