Ana e errët

Nga frika se mos e linte i dashuri, vodhi miliona në pikën e këmbimit valutor ku punonte: Mora dhe kredi për të

Gazeta Si - Frika se mos i dashuri e braktiste, ka detyruar një 34-vjeçare të vidhte miliona lekë në pikën e këmbimit valutor ku punonte në Tiranë. Ajo rrëfen se ndihej e trysnuar nga ai, madje akuzon se partneri e ka mashtruar për të marrë kredi për të.

E denoncuar nga pronarët e “Exhange”-it, Blerina Shtepani akuzohet se ka vjedhur 9 mln lekë dhe për këtë është paraqitur vetë në komisariat. Kjo, për shkak se pronarët i kishin lënë afat për kthimin e parave.

E arrestuar para tre ditësh, Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për 34-vjeçaren këtë të premte.

Sipas dosjes hetimore, mësohet se vjedhja është kryer brenda një harku kohor prej një jave, edhe pse vajza e ka mohuar një gjë të tillë.

Më pas, ajo ka thënë se nëse mungon ndonjë lekë gjatë turnit të saj, do ta zëvendësonte. 

Kur pronarët i kanë thënë shifrën që mungonte, ajo është përplasur me ta, duke i thënë se po e akuzonin padrejtësisht.

Vetëm hapja e kamerave ka vërtetuar se Shtepani ka dalë me tufa lekësh nga zyra e pikës së këmbimit valutor për t’u kthyer pas disa minutash, duke vendosur në arkë monedhat.

Më 9 gusht 2022, kur s’ka kthyer shumën e vjedhur, ajo është vetëdorëzuar në polici, duke pranuar dhe shpjeguar se lekët ia ka dhënë një shtetasi me emrin Ylli Kuqi, me të cilin kishte një lidhje dhe se kishte frikë mos e humbiste, pasi ai i ushtronte presion.

Edhe Kuqi është shpallur në kërkim nga policia. Më tej vajza shton se ajo ka bërë edhe martesë fiktive me një të afërm të të dashurit të saj për shkak të problemeve që ai kishte.

Vajza pohon se e ka ndihmuar disa herë të dashurin, për shkak të problemeve të tij, edhe pe kishte dy vjet që njiheshin.

Ndërkohë ajo është shprehur përpara policisë së ka marrë edhe kredi për të, të cilën vijon ta paguajë ende. Sipas saj, kredia është marrë me qëllim që Kuqi t’i investonte paratë në “Bitcoin”.

Sipas dosjes hetimore, ndryshe nga sa shprehen familjarët, Shtepani deklaron në polici se ka marrë 7 milionë lekë të vjetra.

“Yllin e kisha te dashur. Kur ai mori vesh që unë punoja, erdhi dhe filloi të më qante hallin dhe nëse nuk e ndihmoja, lidhja jonë do të përfundonte.  Nuk kisha ku t’i gjeja paratë, u ndjeva shumë e tensionuar. Nuk doja që unë të braktisesha nga Ylli. Isha totalisht e varur prej tij. Për këtë vendosa që të marrë lekët në vendin e punës dhe t’ja jepja atij, pasi ai më tha se unë kisha mundësi që t’i merrja paratë tek puna ime. Për t’i treguar dashurinë e madhe që kisha, unë i mora lekët. Po ashtu Ylli më ka mashtruar dhe kam marrë kredi, shumë të cilën kam akoma për të paguar. Këto lekë i mora që Ylli të investonte në Bitcoin”, - vijon dëshmia e saj.

Shtepani thotë se e ka bërë e ndikuar nga presioni i vazhdueshëm i lidhjes së saj me shtetasin Ylli Kuqi, i cili jo vetëm në këtë rast, por përgjatë dy viteve e kishte detyruar t’i jepte lekë.

“Isha aq e varur nga Ylli, sa fiktivisht u martova me kushëririn e tij që ai të merrte mbiemrin tim e të shmangte problemet me drejtësinë”, - shton ajo.

E reja thotë se paratë i ka marrë nga arka e firmës dhe ja ka dorëzuar disa herë Ylli Kuqit në zyrën e këmbimit valutor, pasi ai i vendoste kushtin për gjetjen e lekëve ose të përfundonin lidhjen.

E detyruar nga dashuria për të, thotë Blerina ka arritur të marrë para madje dhe pa i numëruar te vendi i saj i punës.

Në dëshminë e saj, Shtepani i ka kërkuar falje pronarit të kompanisë ku punonte dhe familjes së tij.

“I kërkoj falje personi që i kam marrë lekët, familjes dhe ndihem thellësisht e penduar për veprimin që kam bërë, po të më jepej koha do ti ktheja të gjitha pasi unë jetoj me babanë 67-vjeç dhe vëllain me aftësi të kufizuara e që ka nevojë për ndihmën time”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë