Komunitet

Nga dashuria në urrejtje, burrë e grua marrin urdhër mbrojtje nga njëri-tjetri

“The War of Roses”, dashuria e avokatit të njohur që është vënë në skenë nga Michael Douglas dhe një vajze të bukur, finalizohet në martesë. Jeta e çiftit të dashuruar pak nga pak shtyhet drejt greminës kur secili nga partnerët ishte i fokusuar në ambiciet personale. Dashuria e çiftit, në dukje perfekt, u zëvendësua nga urrejtja dhe lufta e hapur. Të dy ish-bashkëshortët hynë në betejë kundër njëri-tjetrit sapo secili prej tyre shfaqi dëshirën për ta marrë ai shtëpinë. Në fakt, nuk kemi ndër mend t’ju tregojmë një film, të cilin mund ta keni parë e riparë, por të sjellim historinë e një burri dhe një gruaje në kryeqytet, të cilët kanë humbur dashurinë për njëri-tjetrin, por jo për shtëpinë ku ata jetonin.
Mentas. I, i moshës 54-vjeçare dhe ish-bashkëshortja Gugushka B., 39 vjeç i dhanë fund martesës . Të dy ish-partnerët, ndonëse me arsim të lartë dhe të përgatitur, nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të ndarë pronën e përbashkët. Ata janë të punësuar, pohon një burim i policisë, por sherri nuk u ka lindur as për të ardhurat dhe as për divorcin. Shtëpia e përbashkët e çiftit të divorcuar gjendet në rrugën “Shyqyri Brari”. Për këtë pasuri të dy ish-bashkëshortët janë nën proces gjyqësor dhe asnjëri nuk toleron. Por aq të nxehura janë gjakrat sa së fundmi ata janë paraqitur veç e veç në polici, duke deklaruar burri se e kishte kërcënuar ish-bashkëshortja si dhe e kishte dhunuar fizikisht, ndërsa gruaja se të njëjtën gjë kishte bërë edhe ish-bashkëshorti.
Burri
Burimi i Gazetës “Si” tregoi se Mentasi denoncoi se ish-gruaja i ka vjedhur në shtëpi 650 mijë lekë, një televizor, një etazhier dhe një komo dhe se ish-partnerja e ka kërcënuar edhe psikologjikisht.
Gruaja
I njëjti burim shpjegon se pas kallëzimit të ish-bashkëshortit , agjentët janë ulur të shkruajnë edhe kallëzimin tjetër. Gugushka rrëfeu se ish-partneri i ka vjedhur 600 mijë lekë dhe se ajo përkundrazi nuk ka vjedhur asgjë.
Rezultati
Në kushtet kur të dy partnerët ish- bashkëshortë këmbëngulën se ishin dhunuar psikologjikisht nga njëri-tjetri, të dyve atyre ne ju plotësuam urdhrin e mbrojtjes nga njëri-tjetri, - shtoi për Gazetën “Si” në anonimitet një burim i sigurt policor. Urdhri i mbrojtjes nga njëri-tjetri ju është dhënë të dyve referuar ligjit “për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare” dhe ka si kusht kryesor që të dy ish-bashkëshortët t’i qëndrojnë larg njëri-tjetrit. Por, derisa gjykata të shpallë një vendim për shtëpinë, le të urojmë që dy ish-partnerët, siç i dhanë fund dashurisë t’i japin fund edhe urrejtjes dhe së paku njëri prej tyre të largohet nga banesa pa shkaktuar pasoja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë