Ngjarje

Nga bujqësia, parcelat e drogës, trafiku dhe kufijtë… Satellogic: Ç’do të monitorojnë tjetër dy satelitët shqiptarë

Nga Gazeta Si - Ashtu siç në Tiranë Ministri i Mbrojtes Niko Peleshi dhe kryeministri Edi Rama, edhe Satellogic Inc., një lider në mbledhjen e të dhënave të Vëzhgimit të Tokës me rezolucionin e nënmetërve, njoftoi sot se ka arritur një marrëveshje trevjeçare me Qeverinë e Shqipërisë për të zhvilluar një plejadë të dedikuar satelitore. Ky program unik – sipas BusinessWire - rrjedh nga modeli Constellation-as-a-Service i Satellogic dhe do t'i ofrojë Shqipërisë aftësi imazhesh satelitore reaguese mbi të gjithë territorin e saj.

Oferta e Satellogic u mundëson qeverive bashkiake dhe shtetërore të menaxhojnë një flotë satelitësh mbi një zonë të caktuar interesi dhe të zhvillojnë një program imazhi të Vëzhgimit të Tokës me frekuencë, rezolucion dhe kosto të pakrahasueshme. Përveç asaj që kryeministri Rama nënvizoi për mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e paligjshme, Satellogic sqaron se “marrëveshja do t'i mundësojë gjithashtu Shqipërisë që të adresojë çështje të ngutshme që përfshijnë menaxhimin e bujqësisë, kulturat e paligjshme bujqësore (parcelat me drogë), menaxhimin e trafikut, monitorimin e zjarreve, sigurinë kufitare dhe monitorimin mjedisor nëpërmjet imazheve me cilësi të lartë në mbarë vendin me një çmim me kosto efektive”.

Shqipëria do të ketë akses prioritar në dy satelitë, të cilët do të emërtohen "Albania-1" dhe "Albania-2", që pritet t'i bashkohen flotës së Satellogic në lëshimin e saj të ardhshëm satelitor me SpaceX (kompania e Elon Musk).

Emiliano Kargieman, CEO dhe Bashkëthemelues i Satellogic dhe Haki Çako, kreu i Emergjencave Civile të Shqipërisë, pas nënshkrimit të marrëveshjes sot

“Me Konstelacionin e Dedikuar Satelitor, Satellogic do të përshpejtojë pjesëmarrjen e Shqipërisë në Ekonominë e Re të Hapësirës. Për më tepër, këta satelitë do të ofrojnë ndërgjegjësim të paprecedentë mbi situatën në mbarë vendin nëpërmjet të dhënave më të mira nga hapësira,” tha Emiliano Kargieman, CEO dhe Bashkëthemelues i Satellogic. “Shqipëria synon të zhvillojë përfshirjen e saj në komunitetin hapësinor duke shfrytëzuar fuqinë e imazheve satelitore me rezolucion të lartë dhe ne jemi të ngazëllyer për mundësinë për të mbështetur ambiciet e vendit si dhe detyrat e tij si anëtar i NATO-s”, u shpreh ai.

Kompania sqaroi se nëpërmjet infrastrukturës së të dhënave në Cloud të Satellogic, Shqipëria do të mund t’u japë zgjidhje në kohë reale shumë çështjeve, do të mund të bëjë analiza dhe shpërndarje të njohurive dhe informacioneve kritike. Satellogic do të mbështesë trajnimin e specialistëve të telekomunikacionit brenda Qeverisë Shqiptare për të asistuar në analizën dhe shpërndarjen e produkteve me origjinë satelitore në ministri të ndryshme në vend dhe për të ndërtuar kapacitetin e ekonomisë shqiptare të hapësirës.

Imazh me rezolucion të lartë i Satellogic

Kontrata e sotme, vjen pas asaj që Satellogic nënshkroi për të monitoruar të gjitha zonat e mbrojtura nënkombëtare në planet përmes Programit të ri Juridiksional GREEN+. Si pjesë e kësaj marrëveshjeje, Satellogic do të mbledhë imazhe satelitore me rezolucion të lartë mbi të gjitha pyjet e Tokës deri në vitin 2025, duke lejuar individët dhe organizatat të monitorojnë me saktësi shpyllëzimin.

E themeluar në vitin 2010 nga Emiliano Kargieman dhe Gerardo Richarte, Satellogic (NASDAQ:SATL) është kompania e parë gjeohapësinore e integruar vertikalisht, duke sjellë rezultate reale me njohuri në shkallë planetare. Satellogic po krijon dhe përmirëson vazhdimisht platformën e parë plotësisht të automatizuar të Observimit të Tokës me aftësinë për të “fotografuar” të gjithë planetin me rezolucion të lartë, duke ofruar zgjidhje të arritshme dhe të përballueshme për klientët.

Misioni i Satellogic është të demokratizojë aksesin në të dhënat gjeohapësinore të imazheve me rezolucion të lartë përmes platformës së saj të informacionit për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve më urgjente në botë, duke përfshirë ndryshimin e klimës, furnizimin me energji dhe sigurinë ushqimore. Duke përdorur teknologjinë e saj të patentuar të imazhit të Tokës, Satellogic ofron fuqinë e Observimit të Tokës me cilësi të lartë dhe me koston më të ulët në industri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë