Futboll

Nga bigamia te tatimet, jeta e Ronaldinjos me 1000 km në orë

Një jetë mes driblimesh, në fushë dhe jashtë saj, por duket se ka ardhur momenti për të ndaluar pak. Ronaldinjo është gjithmonë personazh, edhe tani që nuk vallëzon në fushën e blertë. Zyra e tatimeve në Brazil ka thënë stop. Mungesa e Ronaldinjos më 2 janar në ceremoninë e “Globe Soccer”, në Dubai, ka bërë bujë.

Në aeroportin e Rio de Zhaneiros, autoritetet e kufirit nuk e lejuan ish-lojtarin e famshëm të largohej nga Brazili. Pasi i konfiskuan pasaportën, Ronaldinjo bëri një hile për të udhëtuar jashtë vendit, duke menduar se do t’ia hidhte me përdorimin e pasaportës spanjolle, por dështoi. Autoritetet vendëse ia mbajtën edhe atë dhe braziliani nuk mundi të shkonte në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku do të ishte bashkë me Ronaldo Fenomenin dhe Kristiano Ronaldon. Një treshe unike, për kopertinë. Do të ishte një reklamë e jashtëzakonshme, që do të ndriçonte imazhin e një personazhi popullor në çdo cep të tokës.

Ronaldinjo

Fama e Ronaldinjos ka kaluar përtej kufijve të futbollit. Ai gjithmonë ka qenë në faqet e para të gazetave, jo vetëm për atë që bënte në fushë, por edhe për jetën e natës. E ka bërë te Barcelona, e ka bërë edhe te Milani. Një kampion disi problematik, por simpatik. Njeriu i netëve të bardha. Në vilën e tij në Vareze, kur luante për Milanin, gjithmonë vuante për t’u ngritur nga gjumi në mëngjes dhe vonesat në stërvitje u bënë të zakonshme, duke dëshpëruar Alegrin. Në ato vite si kuqezi, mania e bongove e shtynte deri në Selanik, duke kaluar netët në lokalet e famshme me buzukë të qytetit grek. Aty njohu këngëtarin Antonis Remos dhe krijoi lidhje miqësore me shumë personazhe. Greqia dukej ura ideale mes Mesdheut tërheqës dhe Brazilit të tij. Vitet e fundit Ronaldinjo u kthye në një “globe-trotter”, në gjueti të evenimenteve që i sillnin të ardhura të mira financiare, ndaj dhe të vjen të qeshësh, kur mëson se në numrin e tij të llogarisë kanë mbetur vetëm 6 dollarë. Por kjo është një histori tjetër, e lindur në Porto Alegre, qytetin e tij.

Pranë lumit Guaiba, bashkë me vëllanë-menaxher Roberto, Ronaldinjo vendosi të ndërtonte një resort përrallor, por ky projekt nuk shkoi deri në fund. Gjykata vendosi një gjobë prej dy milionë eurosh, pas problemeve me tatimet, që familja de Asis nuk ishte dakord ta paguante dhe tani është koha për të bërë llogaritë finale. Por sërish nuk ka problem. Mjafton të shohësh postimet e brazilianit në rrjetet sociale, ku gjen imazh të çdo lloji. Ditët e fundit Ronaldinjo është fotografuar me guvernatorin e Rios. Edhe telashet me drejtësinë nuk e zbehin popullaritetin e tij, në Brazil dhe jashtë. Në muajt e fundit udhëtimet e tij kanë qenë të shumta, nga Kina në Bregun e Fildishtë dhe në Marok, por në Dubai nuk mundi të shkonte. Për më tepër, sponsori i tij historik, “Nike”, sapo ka nxjerrë në treg një top të ri dedikuar brazilianit.


Punët në biznes kanë shkuar shumë mirë, pavarësisht vlerës në numrin e tij të llogarisë. Shpirti i aktivitetit të tij? Takimet për bamirësi, me fëmijët gjithmonë entuziastë për lojërat e tij me topin. Vëllai i tij, shumë aktiv, zgjedh me shumë kujdes aktivitetin e “Ronaldinho and friends”, si dhe legjendat që dhurojnë së bashku sfida të paharrueshme. Aktiviteti i fundit daton më 17 tetor 2018, në Frankfurt, ku Ronaldinjo luajti një pjesë dhe shënoi dy gola, por më shumë emocione dhuroi fantazia e tij, që nuk perëndon edhe në moshën 38-vjeçare. Për ta përfunduar, ai është edhe në “Hall of Fame” të stadiumit “Maracanà” të Rio de Zhaneiros, siç u ka ndodhur më parë legjendave si Pele.

Ronaldinjo bëri bujë me deklarataën e tij për t'u martuar me dy gra

Por tani lojërat kanë përfunduar dhe lëvizjet e gjykatës tregojnë se edhe në Brazil era ka ndryshuar drejtim. Nuk ka më tolerime dhe është interesante të mësohet, nëse Ronaldinjo do t’u nënshtrohet rregullave apo jo. A do të jetë ende e mundur jeta e tij antikonformiste? Legjenda e martesës së tij me dy gra është pjesa e keqe e imazhit të ish-yllit të Barcelonës dhe Milanit. Ai ka një djalë dhe nuk ka lidhje të qëndrueshme. Kërkon të jetë gjithmonë i lirë për të bërë një jetë të egër dhe të lumtur. Deri kur?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë