Dosje

Nga ‘Babalja’ te Fredi Alizoti, si nisi në 2018-ën dhe përfundoi përgjimi i PD kundër Fatmir Xhafajt (me dënimin me 1 vit burg të Ervin Salianjit)

Gazeta Si - Në 14 maj të vitit 2018, deputeti demokrat Ervin Salianji publikoi në selinë e Partisë Demokratike një audio-përgjim, që përfshinte në mënyrë indirekte ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Fatmir Xhafaj.

Duke i dhënë përmasat e një skandali, PD pretendonte se një personazh “rruge” i njohur në Vlorë, Albert Veliu, i njohur si “Babalja”, bisedonte me vëllain e ish-ministrit për trafik droge dhe mënyrën se si do të bëhej lëvizja e ngarkesës.

Pas publikimit të audio-përgjimit, Prokuroria për Krime të Rënda regjistroi çështjen, ndërsa nisi hetimet menjëherë për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike.

Gjatë kësaj kohe, vetë ish-ministri i Brendshëm, mohonte lidhjen e tij dhe akuzat e Partisë Demokratike në ndihmë të të vëllait, Agron Xhafaj.

Gjatë hetimeve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, dëshmuan dhe deputetë të Partisë Demokratike. Ndërsa nga ana tjetër, hetuesit morën dhe një regjistrim të vëllait të Fatmir Xhafajt, i cili u paraqit në prokurori.

Pas kësaj, Agron Xhafaj iu dorëzua autoriteteve italiane për të kryer dënimin e tij. Në një letër publike, ai shkruante se nuk ka pasur asnjëherë kërkesë për ekstradimin e tij drejt Italisë.

Historia u mbyll me dorëheqjen e Fatmir Xhafajt në tetor 2018, pas presioneve të shumta dhe për t’i hapur rrugë drejtësisë për të hetuar e pa ndikuar.

Sulmet ndaj Fatmir Xhafajt

Akuza e parë e PD do të ishte se Xhafaj, si kryetar i Komisionit të Ligjeve, kishte ndryshuar ligjin e Kodit të Procedurës Penale, duke ndihmuar që vëllai i tij të vuante dënimin në Italinë fqinje, ku ishte dënuar me 7 vjet e dy muaj burgim, të dhënë me vendimin e datës 12 tetor 2008, Gjykatës së Shkallës së Parë Leçe.

Vendimi ishte lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit të Leçes të datës 25.01.2011. Shkaku i dënimit ishte për përfshirje në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Por sulmet ndaj Xhafajt nuk do të ndalonin me kaq. Pas akuzave për bllokimin e ekstradimit me ndryshimet e ligjit, PD-ja do të publikonte audiopërgjimin që do të trondiste për disa muaj politikën shqiptare.

Selia blu nxori audio-përgjimin ku pretendohej një bisedë mes një trafikanti dhe Agron Xhafajt. Fillimisht u shfaq si dëshmitari “X”, i cili më vonë do të rezultonte se ishte Albert Veliu, me pseudonimin “Babalja”.

Dëshmitari “X” fliste me vëllanë e Xhafajt, Agronin, duke i kërkuar ndihmë për të transportuar lëndë narkotike drejt Italisë, duke e punësuar si skafist.

“Organet ligjzbatuese kanë dijeni për aktivitetin kriminal të Agron Xhafajt si drejtues i një organizate kriminale që kontrollon trafikun e drogës. Në të kaluarën, bashkëpunëtori X dhe Agron Xhafaj kanë punuar së bashku në trafikun e drogës, por kur bashkëpunëtori X u dënua me burg në Itali, Agron Xhafaj, nuk u interesua kurrë për të”, do të deklaronin në konferencën për shtyp, Ervin Salianji së bashku me dy kolegët e partisë së tij, Gazment Bardhi dhe Enkelejd Alibeaj.

Deputeti i PD, Ervin Salianji dhe koegët e tij, Alibeaj dhe Bardhi gjatë publikimit të audio-përgjimit

Tre ditë më pas, kryedemokrati Lulzim Basha do të dilte në një konferencë për shtyp, duke deklaruar se ministri i Brendshëm dhe kryeministri po ushtronin presion ndaj dëshmitarit “X” dhe familjes së tij.

“Largimi në fshehtësi dhe me urgjencë i Agron Xhafajt, terrori dhe presioni policor dhe i bandave ndaj dëshmitarit Albert Veliu, bashkëshortes dhe fëmijëve të tij dhe aktiviteti i ethshëm për të prishur provat do të ishte i pamundur, nëse Fatmir Xhafaj nuk do të ishte më Ministri i Brendshëm. Po ai është aty jo për të mbrojtur qytetarët nga krimi, por për të mbrojtur vëllanë e tij dhe veten e tij nga ligji. E paralajmëroj sot Edi Ramën dhe Fatmir Xhafajn se, për çdo hap që do të ndërmarrin për të rrëmbyer, terrorizuar dhe vënë nën presion Albert Veliun, dëshmitarin e familjes mafioze Xhafaj dhe familjarët e tij, do të marrin përgjigjen më të ashpër nga opozita dhe populli!”, do të deklaronte Basha më 17 maj 2018.

Alfred Veliu, i shtuquajturi "Babalja"

Intervista me dëshmitarin “X”

Më pas PD do të shfaqte edhe një edhe intervistë me dëshmitarin “X”, i cili shpjegonte se pse e kishte ndërmarrë këtë veprim për t’u hakmarrë ndaj Xhafajt për shkak të mos përkrahjes kur “Babalja” ishte në burg.

“Po vajta se qemë me mbetqejfje, se kur unë rashë brenda në burg në Itali, ai mua nuk më solli një paketë, më ktheu kurrizin”, do të shprehej ai në intervistën e dhënë për gazetarin Jetmir Olldashi, i dënuar për këtë çështje nga Gjykata e Apelitme 100 orë punë në komunitet.

Pikërisht, do të ishte Olldashi ai që do të kishte nisur një investigim për çështjet e trafikut të drogës në qytetin e Vlorës dhe kishte ndihmuar në realizimin e këtij audio-përgjimi.

Agron Xhafaj (majtas), letra e publikuar dhe ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj

Dorëzimi i Agron Xhafajt në Itali dhe padia ndaj Salianjit

Audio-përgjimi do të sillte reagimin e vëllait të ministrit të Brendshëm. Agron Xhafaj tha se do t’i drejtohej vetë autoriteteve italiane të drejtësisë për të ekzekutuar një vendim dënimi penal të tyre kundrejt tij.

“Kam vendosur që t’i drejtohem vetë autoriteteve italiane të drejtësisë për të ekzekutuar një vendim dënimi penal të tyre kundrejt meje. Kam vendosur ta bëj këtë duke u paraqitur sot në Itali tek autoritetet përkatëse. Edhe pse nuk ka pasur asnjëherë (nuk ka akoma edhe sot) asnjë kërkesë dhe asnjë interes nga organet e drejtësisë italiane për të ekzekutuar këtë vendim, edhe pse unë asnjëherë nuk kam qenë në kërkim për ekzekutimin e këtij vendimi, unë po e kryejë këtë akt”, shkruante Agron Xhafaj në letrën e tij.

Gjithashtu, ai do të theksonte se kjo është një shpifje dhe një lojë politike dhe shantazh ndaj tij dhe vëllait të tij, ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Por ky veprim nuk do të mbyllej me kaq, pasi i akuzuari nga PD-ja do të shkonte në prokurori për të bërë padi penale ndaj Salianjit dhe përfaqësuesve të tjerë të PD-së

Në letrën e tij, Agron Xhafaj deklaronte se edhe audio e publikuar nga PD, është false. “Pranë Prokurorisë, kam deklaruar e dhënë shpjegime konform ligjit, se audio e publikuar, përfshirë efektet zanore si dhe imazhet e sajuara janë false, dhe janë bërë publike në media me qëllim shantazhin dhe presionin ndaj meje e vëllait tim, Ministër i Brendshëm. Ditën e djeshme, datë 15 Maj 2018, kam kryer të gjitha procedurat e nevojshme, të parashikuara nga ligji, përfshirë depozitimin e zërit tim pranë Prokurorisë së Tiranës dhe në prani të ekspertit të fushës, duke ofruar në këtë mënyrë të gjithë bashkëpunimin e mundur në funksion të zbardhjes së të vërtetës. Shpresoj që prokuroria dhe gjykata t’i shkojnë deri në fund hetimit penal dhe civil ndaj montazhit te paskrupullt ndaj meje e familjes time”, theksonte Xhafaj në letër.

Pas këtyre zhvillimeve, Prokuroria e Krimeve të Rënda do të niste hetimet duke thirrur për dëshmuar Jetmir Olldashin, deputetët e PD-së, Ervin Salianji, Enkelejd Alibeaj dhe ekspertin ligjor të PD-së, Gazment Bardhin. Organi i akuzës kërkoi që të dorëzohej audio-përgjimi origjinal për të kryer verifikimin.

Fatmir Xhafaj dhe kryeministri Edi Rama

Rama merr në mbrojtje Xhafajn, opozita proteston

Mes kësaj “stuhie”, kryeministri Edi Rama do të deklaronte se kishte kryer ekspertimin e audio-përgjimit dhe se rezultonte i pavërtetë.

“Unë që ju kam thënë publikisht që kjo është një histori banale dhe audio-përgjimi është pa lidhje fare me personin e akuzuar. Historia pas audio-përgjimit është edhe më e hatashme. Çfarë shikoni janë vetëm aktorë që luajnë rolin. Kam shpresë se do dalin nga hetimi, skenaristët, regjisorët dhe producentët. Ai ditziu i rrugëve të Vlorës, është si ata figurantët, ça ti thuash thotë, por historia është më serioze se duket, por t’ia lëmë prokurorisë. Na duhet përgjigja e analizës shkencore, në një laborator shkencor të cilido vend partner me Shqipërinë. Kaq”, deklaroi Rama nga foltorja e Parlamentit.

Por Basha, në seancën e 24 majit do të deklaronte se “Rama dhe Xhafaj janë përfshirë në krimin e rëndë të pengimit të drejtësisë me deklaratat false për ekspertizën, me largimin nga hetimi të Agron Xhafajt, me kërcënimin e bandave mafioze të dëshmitarit. Në një situatë normale Agron Xhafaj duhet të ishte sot në qeli duke u hetuar për vepra të reja penale. Fatmir Xhafaj duhet të jepte dorëheqjen dhe t’i nënshtrohej ligjit Antimafia!”.

Ndërsa dy ditë më vonë më 26 maj, opozita do të protestonte përpara kryeministrisë dhe do të rrethonte Ministrinë e Brendshme.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve politike të tensionuara, Rama zgjodhi të mbronte ministrin Xhafaj, edhe pse kërkohej nga opozita dorëheqja e tij.

Ndërsa në tetor, Rama do të deklaronte se në montimin e çështjes “Babale”, do të punonin dhe segmente të caktuara për të bërë puç ndaj tij dhe qeverisë.

I pandehuri Fredi Alizoti, i cili pranoi se Ervin Salianji i kishte premtuar 200 mijë euro për audiopërgjimin me vëllain e ish-ministrit Fatmir Xhafaj

Dëshmitari i rremë dhe akuzat ndaj Salianjit

Më vonë do të dilte në skenë se rolin e Agron Xhafajt në audio-përgjim, do ta bënte Fredi Alizoti, kunati i "Babales".

Për këtë pati edhe një video të dytë të publikuar po nga Salianji, në të cilin shfaqej Alizoti, duke biseduar në një lokal të PD-së, ku theksonte se Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe kryetari i grupit të PS asokohe, Taulant Balla, i kishin kërkuar që të deklaronte se ishte ai personi që kishte imituar vëllanë e Xhafajt.

Kjo video e dytë, në të cilën pretendon PD se ndaj Alizotit po ushtrohej presion, sips prokurorisë do të realizohej nga Florenc Hoxha, ish-zyrtar i Bashkisë së Tiranës, që drejtohej në kohën e Lulzim Bashës.

Alizoti deklaroi më pas në prokurori se i ashtuquajturi "Babalja" i kishte ofruar 100 mijë euro për të realizuar imitimin e zërit Agron Xhafajt.

Alizoti, i pyetur në datë 01.06.2018, ka deklaruar që rreth orës 16:00, të datës 01.06.2018, kishte kërkuar të komunikonte me Drejtorin e Policisë Fier, pasi donte të deklaronte disa fakte.

Më pas, ka kontaktuar me drejtorin, i cili e ka orientuar që të jepte deklarime në Prokurorinë për Krime të Rënda.

“Ky shtetas ka deklaruar që shtetasin Albert Veliu (Babalja) e njihte prej 20 vitesh. Rreth muajve tetor-nëntor të vitit 2017, ai i kishte thënë që donte t’i bënte një regjistrim shtetasit Agron Xhafaj, vëllai i Ministrit të Brendshëm, por nuk i gjente dot anën, pasi ai nuk e afronte.I kishte ofruar që të bënin një regjistrim dhe shtetasi Fredi Alizoti të hiqej sikur ishte shtetasi Agron Xhafaj. Për këtë shërbim “Babalja”, i kishte thënë që do të merrnin 200.000 euro nga deputeti me mbiemrin Salianji. Këtë bisedë e kishin regjistruar në Vlorë te një lokal përballë atij që ishte shtetasi Agron Xhafaj. Sipas deklaruesit, “Babalja” kishte premtuar që do t’i jepte 100.000 euro dhe zëri i shfaqur në regjistrimin e bërë publik nga televizionet në bisedë me Babalen, ishte zëri i tij. 'Babalja' deri në këto momente nuk i ka dhënë asnjë lek”, shprehet organi i Prokurorisë.

Britania hodhi poshtë audiopërgjimin

Pikë e fortë e Prokurorisë për skandalin që pretendohej nga PD-ja, ka qenë ekspertiza e britanikëve, të cilët përmes një letër-porosie të përcjellë nga Ministria e Drejtësisë, thoshin se audio-përgjimi i sekuestruar nga Prokuroria nuk ishte autentik.

Gjithashtu, zëri në audio-përgjim, që pretendohej se i përkiste Agron Xhafajt, nuk mund të konfirmohej se ishte i tij, pasi cilësia ishte shumë e dobët. Madje, britanikët flasin për dy zëra të ndryshëm në audio- përgjim, në rolin e Agron Xhafajt.

Prokuroria e Krimeve të Rënda regjistroi si person nën hetim emrat e shtetasve Albert Veliu, Fredi Alizoti, Jetmir Olldashi dhe Ervin Salianji për veprën penale të “Kallëzimit të rremë” të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 305 e 25 i K.Penal.

Ndërsa për shtetasin Albert Veliu dhe për veprën penale të “Kalimit të Paligjshëm të Kufirit” të parashikuar nga neni 297 i Kodit Penal. "Babalja", për t’i shpëtuar drejtësisë u largua menjëherë nga Shqipëria pas skandalit.

Ai kërkoi strehim politik fillimisht në Kosovë dhe më pas në Hungari. Kjo gjë pengoi procedurat e ekstradimit të tij drejt Shqipërisë.

E gjithë kjo histori u mbyll me dorëheqjen e Fatmir Xhafajt si ministër i Brendshëm në tetor 2018 pas presioneve të shumta edhe për çështjen “Babale”.

Ish-kryedemokrati Lulzim Basha dhe deputeti Ervin Salianji, gjatë denoncimit të audio-përgjimit

Çfarë pritet të ndodhë

Pas mbylljes së hetimeve, në dhjetor të vitit 2019, Gjykata e Shkallës së Parë e shpalli fajtor dhe e dënoi deputetin Ervin Salianji me 1 vit burg për akuzën e kallëzimit të rremë.

Gjithashtu fajtor u shpall edhe i pandehuri tjetër Albert Veliu, i cili u dënuar me 3.5 vite burg, ndërsa Fredi Alizoti u dënua 2 vite heqje lirie.

Gjykata dënoi me 6 muaj burgim dhe gazetarin Jetmir Olldashi, dënim të cilin ka konvertoi në shërbim prove, duke kryer 100 ore pune në shërbim publik.

Ky vendim është ankimuar nga të pandehurit dhe avokatët e tyre dhe u shqyrtua në Shkallën e Dytë të gjyqësorit.

Si përfundim, këtë të enjte, 26 shtator, edhe Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, ku u dënua me 1 vit burg dhe njëkohësisht humbje të mandatit të deputetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë