Politike

Nga 75 mijë në 2021, PD zyrtare tkurret në 25 mijë anëtarë dhe pa vulë, Gjana: Na humbi, po prodhojmë një të re

33 vite nga themelimi, partia më e madhe në opozitë (deri në zgjedhjet e fundit parlamentare) sot zyrtarisht regjistron 25 mijë anëtarë dhe mbi të gjitha nuk ka as vulë.

Kryetari i komisionit zgjedhor në PD Jemin Gjana deklaroi përmes një konference për shtyp se gjithçka është gati për votimin e të shtunës për kryetarin e ri të partisë. Gjatë konferencës, Gjana u pyet disa here për arsyet se pse ishte tkurrur lista e anëtarësisë nga 75 mijë zgjedhës që ishin në 2021 në vetëm 25 mijë.

Ai nuk mund t’i përgjigjej as pyetjes tjetër nga media nëse 50 mijë anëtarët e tjerë kishin shkuar më palën tjetër të Berishës.

E vetmja gjë që saktësoi ishte përgjigja se 25 mijë anëtarët janë ‘pastruar’ nga berishistët dhe ata që lëviznin tek partitë e tjera si ish-LSI apo PDIU.  

Gjana tha se lista e anëtarësisë është verifikuar nga kryetarët e degëve përmes ngritjes së grupeve të punës në bashkëpunim me mbledhjet e kryesive. A legjitimon ky numër i vogël zgjedhjen e kryetarit?   

“S’ka kushtëzim statutor që të bëjë llogaritë se sa duhet të jetë numri. Sot, lista zyrtare që do të dërgohet është 25 mijë. Analizat e tjera keni të drejtë t’i bëni po... Këto teori me teza shumicash dhe pakicash nuk i shërbejnë askujt dhe asgjëje. Kaq është numri i anëtarëve të cilët janë verifikuar” tha ai. Në të njëjtën kohë, ai kujtoi se para disa vitesh lista e PD-së ka qenë edhe me 120 mijë anëtarë.

Një tjetër çështje e debatuar në konferencën për shtyp ishte edhe delegimi i vulës nga sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi tek ai për Çështjet Ligjore, Indrit Sefa.

Gjana tha se kryesia kishte të drejte të merrte vendim në bazë të statutit, porse nuk dha përgjigje se kush e administronte vulën aktualisht. Sipas tij, PD zyrtare nuk kishte vulë që duhet të ruhej në zyrën e Protokollit pasi as këtë të fundit nuk e kanë. Ai shpjegoi se kryesia u detyrua të nxirrte një vendim tranzitor deri sa të krijohej nga e para zyra e Protokollit dhe të prodhohej një vulë e re.

“Sa për vulën, më vjen keq por unë nuk mendoj se vlen për audiencën, për publikun. Vula e PD si vula e çdo institucioni publik, ka një zyrë protokolli dhe arkive. Vula në dijeninë time ka qëndruar në zyrën e protokollit. Se mban as Sekretari i Përgjithshëm, as kryetari. Rri në protokollin e institucionit. E dini pse e morëm vendimin, sepse po vinte momenti për zgjedhjen dhe rezultoi që s’kishim më vulë dhe natyrisht do e krijonim. Me duket e ulët ta marrësh vulën në xhep Më vjen keq që Bardhi ka shkuar në këtë veprim që thotë se vula është këtu. Ne po prodhojmë një vulë tjetër...”, tha ndër të tjera Gjana


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë