Futboll

Nga 500 mijë eurot e Mbape te 20 milionët e Gomes, sa vlen Topi i Artë

“France Football” ka bërë së fundi një vëzhgim për të kuptuar se sa vlen “Topi i artë”, apo edhe renditja në vend të dytë e të tretë, në kontratat e futbollistëve që e fitojnë çmimin prestigjioz. Nga Luka Modriç, fituesi i fundit, te Nejmar dhe shumë lojtarë që kanë dështuar, pasi kanë firmosur për klube të mëdha.

Objektivi konkret për pak, ëndërr për shumë dhe një spekulim për të tjerë. Por në mes janë gjithmonë qindra dhe mijëra euro, të shkruara e zeza mbi të bardhë pas tratativash të gjata para hedhjes së firmës. Klauzola e “Topit të artë” është shndërruar tashmë një pikë kontrate për ata që ëndërrojnë ta fitojnë, ndërkohë që kalkulimet duhen bërë mirë. “France Football”, prestigjiozja franceze që e jep këtë çmim çdo vit, sjell në vëmendje shifrat se sa mund të vlejë ky çmim në kontratat e futbollistëve, edhe të atyre që shpesh përfundojnë ta ndjekin ceremoninë nga televizori.

Kur Nejmar kaloi te Barcelona, në vitin 2013, kërkoi në kontratë klauzolën e “Topit të artë” dhe në atë kohë u fiksua shifra e 425 mijë eurove. Një risk ky i drejtuesve të klubit katalanas për atë që ishte ende një premtim dhe që mori një përqindje të ulët votash. Dy vite më pas u shfaq një kontratë me shifra më të larta: 1 milion stërlina në rast fitimi të trofeut, 500 mijë për podin dhe 100 mijë për prezencën në listën e përgjithshme të kandidatëve. Ishin këto kushtet e kërkuara nga Memfis Depai te Mançester Junajtid, holandezi që tashmë ka kaluar te Lioni.

Andre Gomes, kur prezantohej te Barcelona

Është më e mundshme të mendosh se Kilian Mbape një ditë do të fitojë çmimin e madh. Drejtuesit e PSG-së e dinë këtë gjë dhe pas shumë bisedimesh ranë dakord për klauzolën e “vetëm” 500 mijë eurove. Lionel Mesi fiton 1 milion euro nga kontrata sa herë që triumfon në garën e “Topit të artë”. Interesant është fakti se Barcelona ka parashikuar jo pak, por 20 milionë euro në rast se këtë trofe do ta fitonte portugezi Andre Gomes, tashmë tek Evertoni. Shembulli tipik i rrezikut në kalkulime. Ashtu si ai i Mançester Junajtid, me 10 milionë eurot e premtuara për Monakon, nëse Antoni Martial do të ishte në listën e kandidatëve të mundshëm për fitimin e trofeut, por edhe me 5 milionë eurot e premtuara për Realin, në rast suksesi të argjentinasit Angel Di Maria.

Luka Modriç, i cili në dhjetor ndërpreu monopolin Ronaldo-Mesi, do të fitonte 800 mijë euro, një shifër e negociueshme me rinovimin e kontratës së parë. Kolegu i tij, Toni Kros, kishte parashikuar 1.8 milionë euro në vitin 2014, nëse bënte pjesë në treshen e parë, por e mbylli në vend të 9-të. Për një futbolliste ndërkohë shpërblimi nuk shkon më shumë se 25 mijë euro për momentin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë