Njerez

Nga 11 mijë azilkërkues nga Shqipëria në vendet e BE-së, 70 ishin minorenë të pashoqëruar

Në totalin me azilkërkues shqiptarë në Europë për 2021-shin, 70 kanë rezultuar minorenë.

Kështu, Shqipëria ka më shumë azilkërkues të mitur se vendet e tjera në rajon. Në 2021, Maqedonia e Veriut kishte 5 aplikime, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë Hercegovina nuk kishin asnjë dhe Kosova regjistroi 20 aplikime nga fëmijët e pashoqëruar.

Belgjika ishte shteti më i preferuar për aplikimet e minorenëve shqiptarë, me 25 kërkesa, dhe më pas janë Suedia, Greqia dhe Gjermania me nga 10. Deri në vitin 2019, ku numëroheshin 160 minorenë shqiptarë azilkërkues, kryesonin Gjermania dhe Franca.

Sipas Eurostat, në vitin 2021, kishte 23.255 aplikantë për azil që u konsideruan të mitur të pashoqëruar, me 72% rritje krahasuar me vitin 2020 (13.550). Në një masë të madhe, kjo rritje u shkaktua nga rritja e numrit të të miturve të pashoqëruar nga Afganistani (12.270 në 2021 krahasuar me 5.495 në 2020). Afganët përbënin 53% të totalit, sirianët 16% dhe Bangladeshi 6%.

Në vitin 2021 vetëm 5.070 të mitur të pashoqëruar azilkërkues morën statusin e mbrojtjes në BE. Nga këto, për 48% iu dha mbrojtje plotësuese, 34% iu dha statusi i refugjatit dhe 18% morën mbrojtje humanitare.

Mes 23.255 të miturve të pashoqëruar që kërkuan azil në vitin 2021, shumica (93%) ishin meshkuj. 68% ishin të moshës 16 deri në 17 vjeç, ndërsa ata nga 14 deri në 15 vjeç përbënin 23% dhe ata të moshës nën 14 vjeç 9%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë