Nga Gazeta SI – Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se aplikimet për financimin e mbjelljes së grurit për fermerët shqiptarë nisin nga 1 shtatori.
Sipas njoftimit të mëhershëm të ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, çdo fermer që do të kultivonte grurë, do të mbështetej me 30 mijë lekë për një hektar. Atëherë, ministrja Krifca tha se kjo masë po merret për të nxitur prodhimin vendas, për shkak të krizës botërore të furnizimeve.
“Ka qenë një vit pothuajse i vështirë në përballimin e kostove, fermerët tanë kanë rezistuar. Kemi pasur një sezon të mbarë të prodhimit të grurit, hambarët janë mbushur lot. Kemi menduar të fusim një masë të posaçme, fermerët që prodhojnë mbi 1 hektar grurë, do marrin mbështetje 30 mijë lekë për hektar”, – u shpreh një muaj më parë ministrja e Bujqësisë.
Kryeministri Rama shtoi se aplikimet përfundojnë më 23 shtator dhe do të kryhen në e-albania. Përfitues do të jenë si fermerët individualë, Shoqata të Bashkëpunimit Bujqësor, si dhe persona fizik ose juridikë.
Më herët, ekspertët e bujqësisë për Gazetasi.al, e quajtën këtë masë “lëmoshën e radhës”.
Ervin Resuli, ekspert i fushës, tha se mbështetja që po jep Ministria e Bujqësisë është shumë e ulët krahasuar me vendet e tjera të rajonit.
“Në Kosovë, thotë Resuli, kemi një skemë të plotë për grurin dhe jo vetëm. Ai që do të mbështesë nuk të jep lëmoshë për të kaluar radhën. Kosova mbështet:
1- 474 euro për Ha grurë të mbjellë.
2‐150 euro për Ha për plehrat ushqyese të grurit.
3- 0.36 cent për naftën pa limit”.
Eduart Sharka, kreu i Shoqatës së Fermerëve , tha për Gazetasi.al, se ndryshe nga vendet perëndimore, por edhe ato të rajonit që u kanë paraprirë pasigurive, në Shqipëri subvencionet janë të pamjaftueshme duke mos i stimuluar fermerët dhe politikat fiskale janë jo favorizuese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.