Futboll

“New York Times” sulmon UEFA-n, zbulon fakte se e mbrojti PSG-në

Kthehet në qendër të vëmendjes “fair-play”-i financiar në futboll dhe, siç ndodh shpesh, prozhektorët janë mbi PSG-në. Këtë herë është prestigjiozja amerikane “New York Times”, që sulmon direkt UEFA-n se e ka mbrojtur klubin francez nga parregullsitë dhe shkeljet që ka bërë. Sipas kësaj gazete, organizmi që drejton futbollin në Europë ka injoruar shkeljet e PSG-së në hetimin e hapur në vitin 2017, kur ky klubi dhunoi rregullat e “fair-play”-it financiar. “New York Times” zbulon fakte se UEFA nuk u impenjua aspak për të treguar se klubi francez, me pronar nga Katari, nuk respektoi rregullat.

“Dokumentet vërtetojnë se UEFA u dorëzua në këtë çështje pa luftuar fare”, - shpjegon “New York Times”, që rendit me detaje të gjitha etapat që çuan në zgjidhjen e problemit financiar të PSG-së pa sanksione nga UEFA. Pse ky qëndrim kaq dashamirës ndaj kampionëve të Francës? Për këtë çështje gazeta amerikane ka një shpjegim: lidhja e “qeverisë” së futbollit europian me transmetuesin “BEIN Media Group”, me seli në Katar, që ka garantuar të drejtat TV të UEFA-s dhe të ortakëve të tjerë. Pra, është çështje biznesi.

PSG feston titullin kampion në Francë

UEFA nuk është dakord me konstatimin e gazetës së njohur amerikane dhe ka reaguar. “UEFA arriti në konkluzionin se kishte argumente bindës që mbështesnin interpretimin që klubi francez paraqiti tek ne”. Ky ishte qëndrimi i UEFA-s pas artikullit të “New York Times”. Sipas drejtuesve të futbollit në Europë, nuk ka asgjë të parregullt në vendimin për të mbyllur çështjen e PSG-së. Me siguri polemikat nuk do të mbyllen këtu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë