Analize

Nëse Irani nuk përbën më kërcënim bërthamor, pse po vijon lufta?

Nga Gazeta ‘Si’- Kur presidenti amerikan Donald Trump vendosi të hynte në luftë me Iranin në shkurt, ai e justifikoi vendimin me argumentin se Teherani përbënte një kërcënim të afërt bërthamor.

Megjithatë, kjo binte ndesh me deklaratat e tij të mëparshme, pasi për muaj të tërë kishte këmbëngulur se programi bërthamor iranian ishte “shkatërruar plotësisht” nga sulmet amerikane dhe izraelite të vitit 2025.

Vetëm dy javë para nisjes së luftës, Trump deklaronte se Irani nuk kishte më as “kapacitet potencial” për të ndërtuar armë bërthamore.

Tani, ndërsa përpiqet të gjejë një rrugëdalje nga një konflikt gjithnjë e më jopopullor, presidenti amerikan po jep sinjale të reja dhe kontradiktore për gjendjen e programit bërthamor iranian.

Pas më shumë se katër muajsh luftë, me kosto të konsiderueshme për SHBA-në dhe ekonominë botërore, si edhe pa arritur objektivat kryesore- sigurimin e materialeve bërthamore iraniane dhe një marrëveshje që do ta pengonte përgjithmonë Iranin të zhvillonte armë atomike- Trump tani pretendon se asnjëra prej këtyre nuk është më e nevojshme.

Sipas tij, lufta ka qenë tashmë një sukses, sepse Irani është “çbërthamorizuar”.

Deklaratat e fundit i bëri gjatë samitit të NATO-s në Turqi, ku u pyet nëse lufta kishte arritur në një “qorrsokak strategjik”. Trump e mohoi këtë, duke thënë se misioni ishte përmbushur.

“Shkova atje vetëm për një arsye: që Irani të mos ketë armë bërthamore. Unë e quaj çbërthamorizim të Iranit. Dhe kjo ka ndodhur. Ata nuk do të kenë kurrë armë bërthamore,” deklaroi ai.

Trump shtoi se materialet bërthamore iraniane ndodhen aq thellë nën një mal, sa janë praktikisht të paarritshme. Ai argumentoi gjithashtu se SHBA monitoron vazhdimisht objektet bërthamore dhe mund të verifikojë se askush nuk ka akses në to.

“Nuk ka asnjë mundësi që ata të kenë një armë bërthamore,” tha presidenti amerikan.

Në një tjetër deklaratë, kur u pyet se si synon SHBA të sigurojë materialet bërthamore të Iranit, Trump u përgjigj se ato tashmë janë, në një farë mënyre, jashtë përdorimit.

“I kemi tashmë materialet bërthamore, sepse ndodhen aq thellë nën tokë. Askush nuk mund t’i marrë, përveç nesh. Ata nuk mund t’i përdorin,” u shpreh ai.

Megjithatë, këto deklarata ngrenë pikëpyetje të reja mbi objektivat e luftës dhe arsyetimin fillestar të administratës amerikane.

Për muaj me radhë, zyrtarët e administratës Trump kishin këmbëngulur se sigurimi i materialeve bërthamore iraniane ishte një “vijë e kuqe”. Vetëm gjashtë javë më parë, sekretari i Thesarit, Scott Bessent, e kishte cilësuar këtë si një objektiv të panegociueshëm.

Tani, presidenti duket se sugjeron se kjo nuk është më e domosdoshme, pasi materialet janë të paarritshme për Iranin dhe objektet mund të mbahen nën vëzhgim nga hapësira.

Ky ndryshim i narrativës ngre edhe më shumë dyshime mbi justifikimet që çuan në nisjen e luftës.

Nëse materialet bërthamore kanë qenë të bllokuara dhe të paarritshme që pas sulmeve të mëdha të vitit 2025, pse administrata amerikane vazhdoi për muaj të tërë të kërkonte një marrëveshje bërthamore dhe të insistonte se duhej të merrte kontrollin mbi këto materiale?

Analistët vlerësojnë se shpjegimi më i mundshëm është se Trump po përgatit terrenin për t’u tërhequr nga konflikti, duke e paraqitur atë si një fitore, edhe pse shumë prej objektivave të shpallur nuk janë realizuar.

Nëse kjo rezulton e vërtetë, atëherë lufta do të ketë sjellë kosto të mëdha – nga humbjet njerëzore deri te goditja e ekonomisë globale dhe rritja e ndikimit të Iranit në Ngushticën e Hormuzit – pa prodhuar rezultatet strategjike që u premtuan në fillim të saj./ CNN


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë