Kosova

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës tregon në KiE shenjat e mbetura në duar nga plumbat e ushtrisë serbe (Video)

Nga Gazeta 'Si'-Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, ka folur në Parlamentin e Këshillit të Europës teksa diskutohej për situatën e sigurisë në veri të vendit, pas agresionit serb të 24 shtatorit.

Ajo madje ka treguar shenjat në duart e saj të cilat ishin shkaktuar nga ushtria serbe në masakrën që ajo mbijetoi si 13 vjeçare.

“25 vjet më parë si 13-vjeçare i kam mbijetuar një masakre të ushtrisë serbe, që atëbotë ishte udhëhequr nga njerëzit që ende udhëheqin Serbinë tani.

Si 13-vjeçare unë mbeta e shtrirë në një grumbull të trupave të familjes sime me 16 plumba. Sot kam ende këto shenja në dorë, e pjesë të tjera të trupit tim.

E të shoh 25 vjet pas, që vazhdimisht sulmohemi verbalisht dhe në mënyra tjera, së fundi edhe me sulm terrorist, është e papranueshme. Mjaft është mjaft. Kurrë nuk ka pasur kërkim falje, nuk ka pasur asgjë të ndërmarrë për të sjellë drejtësi, jo vetëm për atë çfarë ka ndodhur atëherë, por edhe tani”, tha Bogujevci.

Ajo tha se njerëzit që kryen sulmin e 24 shtatorit në veri të vendit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, janë në Serbi dhe nuk po gjykohen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë