Futboll

Nejmar mbahet me hatër, tri ndeshje pezullim për grushtin ndaj tifozit

Mbyllet sezoni për sulmuesin e PSG-së, Nejmar. Futbollisti brazilian është dënuar me tri ndeshje, për shkak të goditjes me grusht të një tifozi të Renes në momentin kur po shkonte të merrte medaljen e finales së Kupës së Francës, ku PSG-ja humbi pas gjuajtjes së 11-metërshave. Vendimi i Komisionit të Disiplinës në Federatën Franceze do të zyrtarizohet të hënën, por lajmi është mësuar që tani. Një dënim i lehtë, duke menduar se Nejmar rrezikonte një skualifikim deri në 12 javë. Klubi parisien ka bërë rekurs për këtë dënim, ashtu siç ndodhi me dënimin prej tri ndeshjesh nga UEFA, pasi Nejmar sulmoi në rrjetet sociale arbitrin e PSG-Mançester Junajtid në Champions.

Braziliani ishte protagonist i episodit të shëmtuar pas finales së Kupës së Francës, në shkallët që çonin futbollistët në tribunën e nderit, ku jepeshin medaljet për dy ekipet finaliste. Tifozi ishte duke ngacmuar disa nga lojtarët e PSG-së, të cilët po kalonin para tij. Bufon, Kurzava dhe Verrati kaluan pa i kushtuar rëndësi tifozit, ndërsa Nejmar reagoi në atë mënyrë të papranueshme, që më pas u kritikua nga shtypi sportiv dhe jo vetëm.

Gjithsesi, duhet thënë se Nejmar ia ka hedhur paq në këtë rast. Braziliani është përkëdhelur nga organet kompetente të futbollit francez, sepse sipas rregullores, dënimi mund të shkonte deri në 12 javë, nëse veprimi do të interpretohej si reagim brutal. Nga Komisioni i Disiplinës është marrë në konsideratë fakti se Nejmar ishte “viktimë” e një provokimi nga tifozi. Me shumë mundësi, sulmuesi do të luajë ndaj Angers ndeshjen e fundit të sezonit. Klubi ka bërë apelim edhe në këtë rast, ashtu si në rastin e dënimit nga UEFA për kritikat publike ndaj VAR-it dhe arbitrave në ndeshjen PSG-Junajtid.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë