Politike

Ambasadori gjerman: Negociatat? Topi është në Tiranë! Plotësoni 3 kushtet

Shqipëria duhet të shfrytëzojë Presidencën gjermane të Bashkimit Europian për të shënuar progres në tre parakushtet e vendosura për hapjen e negociatave. Sinjali i mbështetjes është dhënë nga Kancelarja Angela Merkel gjatë prezantimit të prioriteteve të Presidencës për 6 muajt e ardhshëm.

Megjithatë, Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf thotë se topi nuk është as në Bruksel dhe as në Berlin, por në Tiranë.

“Më gëzon fakti që aktorët e politikës shqiptare kanë gjetur një konsensus të parë lidhur me Kodin Zgjedhor. Tani fjala është të bëhet përpara me zbatimin e masave të dakordësuara. Krahas reformës zgjedhore një element i rëndësishëm në këndvështrimin gjerman është funksionaliteti i Gjykatës së Lartë dhe i Gjykatës Kushtetuese, që janë esenciale për vendin dhe bëjnë pjesë në grupin e kushteve që duhet të përmbushen përpara realizimit të Konferencës së Parë të Anëtarësimit. Uroj që në këtë drejtim të bëhet progres i shpejtë. Thënë shkurt, topi aktualisht vazhdon të jetë ende në fushën e palës shqiptare”, tha kryediplomati gjerman në Shqipëri në një intervistë për DË.

Megjithatë, konsensusi i 5 qershorit në Këshillin Politik nuk adreson rekomandimet e OSBE/ODIHR për reformën zgjedhore. Ambasadori gjerman është i vetëdijshëm për këtë, por thotë se për momentin rëndësi ka qe puna vazhdon ende dhe se këto rekomandime shihet si linja orientuese. Zingraf kërkoi gjithashtu që krahas punës për reformën të sqarohen edhe akuzat për mashtrime zgjedhore dhe blerje votash në zgjedhjet e kaluara.

Sa i takon rikthimit në funksion të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Zingraf u kërkon aktorëve që kanë në dorë këtë proces që të ndjekin rrugën e treguar në opinionin e Komisionit të Venecias dhe kërkoi bashkëpunim mes palëve që procesi të ecë më shpejt.

Zingraf siguron që mbështetja gjermane për integrimin e Ballkanit Perëndimor mbetet e palëkundur dhe në interes të ndërsjellë.

“Përafrimi i mëtejshëm i këtyre vendeve me BE-në është si në interesin e Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe në interesin strategjik të vetë BE-së. Me hartimin dhe miratimin e kuadrit të negociimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ne dëshirojmë të përgatisim nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me të dy vendet”, deklaron ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë