Ekspozite

‘Në simbiozë me eposin’/ Të kthesh në art bjeshkët, vallet tradicionale dhe mitet 

Nga Gazeta Si - I rritur në prehrin e bjeshkëve, i dashuruar me format e kreshtave të Alpeve, e mbi të gjitha me këngët kushtuar kreshnikëve e zanave, piktori tropojan, Azem Kuçana, gërsheton në një ekspozitë figura e ngjyra magjike të traditës shqiptare.

Piktori sjell nëpërmjet penelit dhe bojërave ekspozitën “Në simbiozë me eposin” të çelur në Muzeun Historik Kombëtar duke e përballur publikun me një përshkrim të zonave të veriut me elementet mitologjike si Zanat, Orët e maleve dhe këngët e Eposit.

Magjia e artit të tij piktorik shpërfaq portrete e gjeste njerëzore, ngjyrat rrëzëlluese të kostumografisë së Malësisë së Veriut shqiptar e sidomos ato të luginës së Valbonës.

Imazhi i çdo pikture duket sikur ka një ekspresivitet të veçantë, veti kjo që buron edhe nga vallet e burrave e grave, ku janë skalitur edhe tiparet më të bukura.

Çdo vepër e tij e ka marrë frymëzimin nga tradita, ndaj dhe “Në simbiozë me eposin” për të vjen natyrshëm si një lidhje e fortë me trashëgiminë kulturore jomateriale shpirtërore.

“Titulli i ekspozitës është një gjetje e imja pas asaj që unë kam hulumtuar gjatë jetës time, vendlindjes time, vendit ku jam lindur edhe rrit, dhe është përkthyer në krijimtarinë time”, shprehet piktori për Gazetën “Si”.

Veprat e Azem Kuçanës janë një histori pasioni që e ka përjetuar qysh në fëmijëri përgjatë rrëfimeve të gjyshes, për kreshnikët, orët dhe zanat.

“Pasioni për këtë pjesë të trashëgimisë ka lindur natyrshëm, sepse unë vij nga pjesa e Alpeve Shqiptare, kam lindur në Tropojë dhe jam rritur me gojëdhënat e nënës dhe gjyshes time, të cilat tregojnë për Eposin, për Mujin, Kreshnikët, për këngët e zanave e me radhë”, vijon piktori për Gazetën "Si".

Duke qenë se është rritur me eposin e baladat, të kthesh këto motive të lashta në art për të nuk ka qenë aspak e vështirë.

“T’i ktheja këto motive në vepra arti nuk ka qenë aspak e vështirë, pasi ajo është pjesë e imja e brendshmja. Çdo figurë që vjen në formë artistike është pjesë e identitetit tim që përpiqem ta kthej në art”.

Kuratrja Suzana Vravarica, drejtori i MHK, Dorian Koçi dhe piktori Azem Kuçana

Për piktorin ekspozita vjen me mesazhin e qartë për ta bërë traditën më të prekshme edhe për brezat e rinj.

“Unë jam krenar për eposin dhe çdo shqiptar duhet të ndihet krenar për eposin dhe traditën e jashtëzakonshme të veriut. Kjo traditë duhet të trashëgohet edhe në brezat e ardhshëm në mënyrë që të rritet vlera e kulturës tonë popullore”, vijon më tej ai.  

Veprat e ekspozuara në Muzeun Kombëtar (70 në total) më pas do të udhëtojnë edhe në Nju Jork, duke u bashkuar me 60 të tjera me motive të baladave dhe personazheve të eposit shqiptar.

Ekspozita “Simbiozë me Eposin” do të qëndrojë e hapur për të gjithë artdashësit deri më datë 2 tetor në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë