Shendet

Në Shqipëri nuk dihet as çfarë tip virusi po qarkullon e as si mund të vijojë situata

Covid-19 është përhapur kudo në botë, duke shkaktuar mijëra viktima, por edhe dhe dëme të shumta në ekonomi. Në një studim të para dy muajve, studiuesit kuptuan se bota po përballet me tre lloje të koronavirusit të ri.
Ishin pikërisht studiuesit e Universitetit të Kembrixhit që hartografuan historinë gjenetike të epidemisë nga fillimi i dhjetorit deri në mars dhe gjetën tre variante të ndryshme të virusit të emëruara në llojin A, B dhe C. Shkencëtarët besojnë se virusi është mutant dhe kjo e bën më të thjeshtë që të kapërcejë rezistencën e sistemit imunitar.
Por në vendin tonë cili virus qarkullon? Sipas studimit thuhet se në të gjithë Europën është përhapur më së shumti lloji “C” që mendohet që edhe tek ne ky variant gjendet, por autoritetet shëndetësore nuk e kanë vërtetuar ende këtë fakt.

Pëllumb Pipero

Mjeku Pëllumb Pipero i ka thënën Gazetës “Si” se në laboratorët tonë izolohet ARN e virusit e, jo virusi.
“Siç jeni në dijeni në qarkullim janë 3 tipe/nëntip të Covid 19. Jo të gjithë laboratorët mund të bëjnë identifikimin e tipit të virusit, ndërkohe ju kujtoj se deri tani nuk ka ndonjë studim që dëshmon a vërteton se virusi ka pësuar mutacion” shprehet Pipero.
Në studimin, botuar në revistën PNAS, studiuesit thanë se lloji “C” i virusit, ai që është përhapur në të gjithë Europën, nuk ishte mutant dhe cilësohet në nivel mesatar, duke shkaktuar simptoma të lehta dhe jo probleme vdekjeprurëse. E keqja e këtij lloji është se mund të përhapet më me shpejtësi. Por në vendin tonë duket se laboratorët nuk kanë kapacitetet për ta vërtetuar këtë gjë.

Epidemiologu Erion Dasho

Nga ana tjetër epidemiologu Erion Dasho, shprehet se në Shqipëri janë anashkaluar gjëra më të thjeshta se sa një vëzhgim i tillë.
“Këto janë studime qe bëhen ne aspektin gjenetik, por unë mendoj se Shqipëria ka probleme shume me thjeshta te cilat janë anashkaluar deri tani. Pra, para se te mendojmë për studime gjenetike, le te mendojmë për disa studime shumë më të thjeshta, me bazike, por shumë më të nevojshme. Seroprevalenca, apo siç njihet ndryshe testi i antitrupave, është një prej tyre” i thotë Dasho gazetës “Si”.
Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, në përditësimin e shifrave, bëri me dije se tashmë kemi mbi 1000 të prekur, por pavarësisht kësaj situata mbetet e qëndrueshme dhe kurba epidemike ka qenë e butë dhe e qëndrueshme. Por pavarësisht këtyre fakteve qetësuese, ende nuk dihet se si do të vijojë situata në vendin tonë, duke marrë parasysh që kemi një përhapje të llojit C të virusit dhe një ekspozim të madh të njerëzve gjatë ditëve të fundit.
Pipero i shpjegon Gazetës “Si” se sa i takon këtij fakti duhet të presim nëse do te kemi shtim te rasteve pozitive, pra të shohim edhe efektin e ekspozimit.

“Kujtojmë se ka asimptomatike në shumice dhe ndoshta duhet të kryhet një studim i mëvonshëm seroprevalence. Mendoj se nuk do të kemi shtim të rasteve të sëmure, por mund te kemi shtim te rasteve pozitive, që është pozitive ne opinionin tim,” shprehet Pipero.
Ndërsa epidemiologu Dasho shpjegon se masave qe po merren në Shqipëri u mungon një përafrim strategjik, janë karakterizuar nga mesazhe që ndryshojnë shpesh dhe nuk kane qene të qarta për t’u kuptuar dhe zbatuar.
“Për fat te keq, qytetaret e lodhur nga masat që kanë qene jo në përputhje me gjendjen epidemiologjike, janë duke refuzuar zbatimin edhe të disa masave fare bazike siç janë mbajtja e maskave në publik apo respektimi i distancës. Në këto kushte, askush nuk mund te parashikoje se si do të zhvillohet situata. Mendoj se jemi në mëshirën e virusit dhe situata do të zhvillohet ashtu si i do qejfi virusit. Uroj të marre për mire,” shpjegon Dasho.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji

Më Shumë