Shendet

“Në Shqipëri një izolim i dytë do ishte i pavlerë”

Doktori Erion Dasho është kundër një izolimi të dytë të mundshëm në Shqipëri, si një praktikë parandaluese për përhapjen e mëtejshme të koronavirusit që e aplikoi Izraeli dhe që edhe Britania e Madhe e ka paralajmëruar për në muajin tetor.

Dr. Erion Dasho

“Izolimi dihet që kudo jep efekte, pra nëse ti izolon njerëzit në shtëpi, virusi ndërpret përhapjen, nuk ka si transmetohet. Por qeveritë e përgjegjshme, nuk është se izolojnë njerëzit në shtëpi thjesht për të qetësuar një situatë, por i qetësojnë për të marrë masa inteligjente që parandalojnë përhapjen e mëtjeshme të infeksionit”, shprehet mjeku i shëndetit publik për Gazetën "Si".

Doktor Dasho është kundër izolimit në Shqipëri sepse ai mendon se “përvoja shqiptare në mars–prill–maj tregoi që ne e përdorëm izolimin thjesht si një masë të veçuar, nuk e shfrytëzuam periudhën e izolimit për të marrë masa inteligjente në kuadër të testimit, gjurmimit dhe trajtimit, prandaj në Shqipëri çfarëdolloj izolimi do të ishte thjesht për izolim dhe me pasoja e vlera të diskutueshme.”

Gjykimin e doktor Dashos do ta konfirmonte në mesqershor edhe raporti ndërkombëtar “COVID-19 Regional Safety Assessment” i Deep Knowledge Group, një firmë investimesh e themeluar në 2014-n në Hong Kong.

Sipas raportit në fjalë Shqipëria dështoi në monitorimin dhe dedektimin (gjurmimin) e rasteve me Covid-19.

Për këtë kategori ne renditemi në vendin e 98 nga 100 vende të analizuara në këtë raport.

Po ashtu në vendin e dytë nga fundi do të renditeshim edhe për efiçencën e menaxhimit të pandemisë nga qeveria

Në total, sipas analizës së 6 kategorive, 30 indikatorëve dhe 130 parametrave Shqipëria do të renditej për menaxhimin e situatës Covid-19 në vendin e 88-të.

Pandemia Covid-19 vuri në sprovë shumë vende në botë, madje edhe ato vende me një sistem të fort shëndetësor. Të gjendur përballë një situate të re dhe mbarëglobale, vende të ndryshme e kanë përballuar ndryshe.

Raporti ka shqyrtuar për të kuptuar nivelin e përballjes me situatën Covid-19 të vendeve 6 kategori të nivelit të lartë (Efikasiteti i Karantinës, Efikasiteti i Qeverisë për Menaxhimin e Rrezikut, Monitorimin dhe Detektimin, Gatishmërinë e Shëndetësië, Rezistencën Rajonale dhe Përgatitjen e Urgjencës).

Sipas raportit vendi më i sigurt është Zvicra, kurse më i rrezikuari Sudani i Jugut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë