Dosje

Në rrjetin e ‘baronit’ të drogës/ ‘Po dal për ajrosje’! Si u zbulua Dritan Rexhepi në burg dhe gjurmët e kokainës nga Ekuadori në Europë

Emri i Dritan Rexhepit nuk është i njohur vetëm në Shqipëri, pas akuzave për vrasje, trafik droge deri dhe te dyshimet si porositës për pengmarrjen e Jan Prengës dy vjet më parë.

Fama e 41-vjeçarit nga Vlora, ka kaluar përtej Oqeanit dhe deri në Amerikën Latine, konkretisht në Ekuador, aty ku ndodhet i dënuar në një nga burgjet e sigurisë së lartë të këtij vendi për akuzat e trafikut ndërkombëtar të drogës.

Pikërisht për këtë, ai është rikthyer edhe njëherë në qendër të vëmendjes së mediave ndërkombëtare. Gazeta prestigjioze amerikane "The Wall Street Journal", i ka kushtuar një artikull shqiptarit të cilësuar si narko-trafikanti “i pakapshëm” dhe që përmbyti Europën me drogë nga Amerika Latine. Lidhjet e tij me krerët e fuqishëm të karteleve amerikano-latine, u bënë edhe më të forta me themelimin e kompanisë “Bello”, e cila hodhi rrënjjë edhe në Shqipëri.

Operacionet kryheshin nga burgu përmes një... celulari

Forcat policore ekudoriane pas sekuestrimit të një sasie të madhe kokaine

Operacioni policor disa vjeçar, ka ekspozuar faktin se grupet e reja kriminale po përfitojnë nga globalizimi për ta kthyer Europën në një rivale të SHBA-së, si tregu më i madh për kokainën, sipas DEA-s amerikane.

Dritan Rexhepi e merrte kokainën nga Kolumbia nga një shoku i tij i burgosur dhe duke përdorur një celular të fshehur, ai organizoi dërgesa me vlerë qindra miliona dollarë në anije me kontejnerë në portet në Holandë, transferoi të ardhurat dhe urdhëroi sulme ndaj kundërshtarëve, duke përfshirë dy vrasje, shkruan “WSJ”, e cila i referohet zyrtarëve italianë.

Rrugët e ngarkuara tregtare, kufijtë e hapur dhe komunikimet moderne të sigurta kanë ndihmuar grupe si ai Rexhepit të nxisin etjen e Europës për kokainë.

Operacioni për rrëzimin e rrjetit të tij, i udhëhequr nga Komisionerja e Policisë së Firences, Erminia Del Prete dhe që përfshin prokurorë dhe kolegë në të gjithë Europën, ishte një sukses i dukshëm për autoritetet në kontinent, të cilët po luftojnë për të ndërprerë fluksin.

Si hynin ngarkesat e kokainës në Europë

Pjesa më e madhe e dërgesave hyjnë në Europë përmes porteve komerciale të fshehura në kontejnerë që janë të shumtë për t’u kontrolluar. Raportet thonë se sapo mbërrin në breg, kokaina zhduket shpejt. Vendet e Bashkimit Europian kanë hequr kufijtë e brendshëm, por forcat e policisë mbeten kombëtare. Europol, agjencia policore e BE-së, është bërë një qendër thelbësore për bashkëpunim, por zyrtarët thonë se pengesat gjuhësore dhe burokratike mbeten dhe se atyre u duhen më shumë burime.

Zyrtarët europianë, thonë se rrjeti i shqiptari Rexhepi, i njohur si “Kompania Bello”, ishte një nga më të mëdhenjtë të lidhur me Shqipërinë, një vend i vogël ballkanik me një diasporë të madhe në Europë.

“Grupet shqiptare janë vërtet të forta,” thotë Francesco Messina, drejtor antikriminal i Policisë së Shtetit të Italisë. “Ata kanë pushtuar tregun e kokainës aq shumë sa që tani janë ndër grupet më të forta kundër të cilave duhet të luftojmë.”

Organizata u godit pas 6 vitesh hetime

Një nga metodat e trafikut të kokainës nga trafikantët, është fshehja e tyre mes kutive të bananeve

Hetimi gjashtëvjeçar përfundoi shtatorin e vitit të kaluar, duke shënuar më shumë se 100 arrestime në 10 vende për trafik ndërkombëtar droge dhe sulme. Italia i ka kërkuar Ekuadorit ekstradimin e Rexhepit, me akuzën e krijimit dhe drejtimit të një organizate kriminale të angazhuar në trafikun e drogës dhe pastrimit të parave.

Gazeta amerikane nënvizon se Rexhep nuk mund të kontaktohej për koment, duke qenë i burgosur në qeli, ndërsa avokati i tij në Ekuador u qëllua dhe u vra në prill.

Autoritetet e burgut në Ekuador thanë se të burgosurit nuk kanë akses te celularët. Në praktikë, autoritetet njoftojnë rregullisht se kanë konfiskuar telefona, drogë dhe armë nga të burgosurit.

Të dhënat e ngritjes dhe rënies së grupit të Rexhepit bazohen në intervista me një duzinë zyrtarësh të zbatimit të ligjit italianë dhe europianë, si dhe në dokumentet e gjykatës italiane.

Si u arrestua “baroni” shqiptar i drogës në Itali

Fotografi të narko-trafikantit shqiptar të drogës, Dritan Rexhepi

Operacioni që futi në kurth Rexhepin filloi me një kontroll policor në Firence të Italisë në vitin 2014. Policia ndaloi disa shqiptarë që grindeshin për biznesin e prostitucionit dhe hetimet e mëtejshme zbuluan lidhje të mundshme me trafikun e drogës.

Gjatë një kontrolli apartamentesh, policia sekuestroi një telefon “BlackBerry” që përmbante 10 PIN-e, kode të lidhura me pajisje të tjera, por pa emra apo numra telefoni për të identifikuar pronarët e tyre.

Një gjykatës urdhëroi kompaninë “BlackBerry Ltd.”, të sigurojë akses në mesazhet e koduara të një PIN-i që ishte ende aktiv. Mesazhet zbuluan se një grup shqiptarësh sillnin kokainë nga Holanda për të furnizuar një grup të fuqishëm kriminal në jug të Italisë.

“Këtu e kuptuam se ata duhet të jenë një organizatë e madhe me tregun e tyre”, thotë Del Prete, një veterane policie 33-vjeçare e mësuar të përleshet kryesisht me tutorët vendas dhe tregtarët e drogës.

Policia pati akses në disa kode PIN, ndërsa vendet e tjera iu bashkuan hetimit, duke zbuluar se shqiptarët po përdornin Holandën si një qendër për të shpërndarë kokainën në të gjithë Europën.

Del Prete dhe katër kolegë të saj lexuan mesazhe nga e gjithë bota që mbërrinin pothuajse në kohë reale. Ekipi i saj krijoi llogari të rreme në rrjetet sociale për të monitoruar profilet e të dyshuarve, duke përdorur “pëlqime” dhe komente në foto për t’i përshtatur ato me llogaritë e “BlackBerry”-t..

Përgjimet telefonike nga burgu ekudorian

Dritan Rexhepi, i cili ndodhet prej disa vitesh në një burg të sigurisë së lartë në Ekuador

Në vitin 2016, autoritetet ligjzbatuese e dinin se mbreti ishte në Ekuador, por nuk mund ta identifikonin atë. Më pas, të dhëna të çuditshme dolën nga bisedat e tij.

“Po dal për ajrosje”, shkroi ai në një mesazh. “Më duhet të fsheh telefonin tim”, - citoi ai në një tjetër në një komunikim me celular.

Kur në një bisedë tjetër ai përmendi një dënim, oficerja italiane Del Prete kupton se ai ishte pas hekurave dhe policia shpejt e identifikoi Rexhepin.

Rexhepiu formësua nga gjendja ekonomike dhe dhuna kriminale që pushtoi Shqipërinë në vitet ‘90, pasi vendi doli nga sundimi komunist.

E shkuara e errët në Shqipëri dhe arratisjet spektakolare

Fotografi e Dritan Rexhepit, në kohën që ishte shpallur në kërkim nga policia shqiptare

“Në vitin 1999, kur ishte ende adoleshent, Rexhepi qëlloi me breshëri kallashnikovi një polic në një lokal. Ai ishte paguar për atentatin dhe plumbat e tij vranë edhe dikë tjetër, sipas Arben Frashërit, një ish-prokuror i lartë shqiptar”, - vijon më tej “The Wall Street Journal”. Policia e arrestoi Rexhepin vetëm në janar 2006 në Tiranë.

Po atë mbrëmje, Rexhepi u arratis nga dhoma e paraburgimit, pasi hapi me gisht një bravë me defekt dhe i tha një roje që policia kishte mbaruar punë me të. Një gjykatë më vonë e dënoi në mungesë për vrasje.

Ky ishte i pari nga tri arratisjet nga burgu, pasi Interpoli e ndoqi në të gjithë kontinentin për trafik droge dhe akuza të tjera. Në Itali, ai sharroi hekurat e qelisë dhe u arratis. Në Belgjikë, ai shpëtoi duke u ngjitur mbi një mur.

Mediat shqiptare vitin e kaluar publikuan një intervistë me Rexhepin, në të cilën i dënuari tha se akuzat e rreme të vrasjes e kishin bërë atë të largohej nga vendi, duke i pamundësuar sigurimin e një pune legjitime në Europën Perëndimore dhe detyruar ti futej jetës së krimit dhe të drogës. “Instinkti i mbijetesës më çoi në atë drejtim”, citohet të ketë thënë ai.

Arrestimi në Ekuador me 272 kg kokainë

Pako të kokainës të ekuestruara nga operacionet policore në Amerikën Latine

I zhvendosur në Ekuador, Rexhepi u arrestua në qershor 2014, në posedim të më shumë se 272 kg kokainë, sipas Interpolit (Organizatës Ndërkombëtare të Policisë).

Në burg, Rexhepi ishte aleat me një trafikant droge nga Ekuadori me lidhje me kartele të fuqishme në Kolumbi dhe Meksikë.

Kokaina dërgohej përtej Atlantikut me anije me kontejnerë, kryesisht në portet e Holandës, ku një anëtar i bandës kishte lidhje korruptive. Rreth 50 kg kokainë në ditë do të zbarkonin në port, pataj në qendrat e magazinimit dhe përpunimit dhe më pas do të transportoheshin në Itali dhe tregje të tjera, duke përdorur makina me shtresa të dyfishta.

Rexhepi kishte kontakte direkte me një numër shqiptarësh në Ekuador, Holandë, Itali dhe Shqipëri dhe partnerë biznesi në pjesën më të madhe të Europës Perëndimore, të cilët kontrollonin kanalet e shpërndarjes së kokainës në të gjithë kontinentin.

Zgjerimi i grupit nën emrin “Kompania Bello”

Rruga që përshkonin tonelatat e kokainës nga vendet amerikano-latine drejt Europës

Ndërsa grupi i Rexhepit u zgjerua, ai kërkoi të mbizotëronte. “Le të dalim në treg me emrin tonë”, i shkruante koordinatori i grupit në Itali Rexhepit në mars 2016. “Marka jonë ende nuk njihet”.

Rexhepi ia ktheu, duke propozuar emrin “Bello” në italisht, ose “E bukur”. Dërgesat me kokainë të grupit u vulosën shpejt me këtë markë.

Rexhepi e drejtoi kompaninë Bello me karizëm dhe dhunë. Ai urdhëroi sulme dhe të paktën dy vrasje, një në Ekuador dhe një në Shqipëri, sipas policisë italiane.

“Bashkëpunëtorët e arrestuar refuzuan të flisnin, duke përmendur frikën e hakmarrjes ndaj familjeve të tyre”, - vijon Del Prete.

Nga burgu, me gomone nga Italia në Shqipëri

Shqiptarët në vështirësi i drejtoheshin atij për ndihmë. Kur Rexhepi zbuloi se tre bashkatdhetarë ishin arratisur nga një burg i Romës në orën 3 të mëngjesit në fund të vitit 2016, ai organizoi një gomone për t’i marrë në bregdetin jugor të Italisë për t’i çuar në Shqipëri.

Rexhepi ka qarkulluar shumë para përtej Atlantikut, duke përdorur sistemin kinez, ose “paratë fluturuese”, ku paratë e depozituara te një agjent në një vend, mund të tërhiqen nga dikush në një vend tjetër, kryesisht pa lënë gjurmë.

Ai gjithashtu kursente para në komisione duke përdorur korrierët e tij. Në qershor 2016, policia e Firences informoi kolegët ekuadorianë, të cilët kapën një korrier në aeroportin Guayaquil të Ekudorit me 350.000 euro të fshehura në anët e një valixheje.

Burimi: “The Wall Street Journal”; Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë