Politike

Në pritje të përgjigjes së Lulzim Bashës, Soreca mbledh ambasadorët

Katër ambasadorëve të investuar në kohë dhe energji për arritjen e një marrëveshjeje në Këshillin Politik për reformën zgjedhore iu bashkua edhe ambasadori gjerman, Peter Zingraf në takimin që filloi pak pas orës 11:00 të së enjtes në zyrën e Bashkimit Europian.

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, ai i Britanisë së Madhe, Duncan Norman, gjermani Peter Zingraf dhe ai i OSBE-së, Bernd Borchardt do të vijojnë diskutimet me njëri-tjetrin aty ku e lanë mbrëmë, ndërkohë që mbetet ende e paqartë nëse do të ketë sot një mbledhje të Këshillit Politik, apo jo.

Takimi mes ambasadorëve ka zgjatur rreth 60 minuta dhe në përfundim të tij asnjëri prej përfaqësuesve ndërkombëtarë nuk komentoi se për çfarë u diskutua, as edhe se sa do të presin ata përgjigjen e opozitës për marrëveshjen e ofruar.

Mbrëmjen e së mërkurës, ambasadorja amerikane, Yuri Kim e bëri fakt të kryer marrëveshjen për reformën zgjedhore dhe ja pasoi topin kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke thënë se tashmë gjithçka varet nga vendimi i tij.

Kreu i Partisë Demokratike reagoi vetëm pak minuta pas kryediplomates amerikane në Tiranë. Në një deklaratë të shkurtër për mediat, Basha tha se ka mbetur edhe një çështje pa u zgjidhur, por la të hapur mundësinë se opozita do të bëjë gjithçka në këtë drejtim. Më shumë sesa një përgjigje konkrete, ku topin e pasuar nga Kim e la në ajër, Basha i dha vetes kohë për një qëndrim që sa duket nuk e ka vendosur ende.

“Është bërë progres drejt dakordësisë për administrimin zgjedhor. Ka mbetur një çështje pa zgjidhur. Dua t’i sigurojë shqiptarët se opozita e bashkuar do të bëjë gjithçka për të siguruar votën e lirë dhe të ndershme”, u shpreh kreu i PD-së pas deklaratës së ambasadores amerikane dhe përfundimit të mbledhjes maratonë të Këshillit Politik.

Sinjalet se presioni ndërkombëtar ishte i gjithi mbi opozitën u dhanë rreth 2 orë para se Yuri Kim të shpallte njëanshmërisht marrëveshjen. Në orën 20:30 minuta të së mërkurës, katër anëtarët e Këshillit Politik duhej të paraqiteshin në selinë e Ambasadës Amerikane për të vazhduar diskutimet, pas 90 minutash pushim.

Por, në drejtim të “Rrugës së Elbasanit” u shfaqën vetëm Rudina Hajdari dhe Damian Gjiknuri, ndërsa Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili qëndruan në selinë e Partisë Demokratike në një takim me Lulzim Bashën, ku më vonë në këtë takim iu bashkuan edhe Monika Kryemadhi dhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi.

Pasi pritën për më shumë se një orë në Ambasadën Amerikane kolegët e tyre, Rudina Hajdari dhe Damian Gjiknuri u larguan pa dhënë asnjë deklaratë nga selia e ambasadës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë