Sociale

Në pritje të dozave të tjera të vaksinës; Rama: Pfizer ndali prodhimin… Por mediat e huaja e mohojnë

Në vendin tonë prej disa ditësh ka nisur vaksinimi anti-covid-19, ndërsa ende nuk dihet me saktësi se kur do të vijnë dozat e tjera të vaksinave. Deri më tani janë ezauruar rreth 500 vaksina të injektuara tek personeli mjekësor. Sipas deklaratave të vazhdueshme të Kryeministrit Edi Rama dhe Ministres Manastirliu pritej që në javën e tretë të janarit të vinin 10750 doza të vaksinës.
Ndërkaq në komunikimin e përjavshme me gazetarët për Ekonominë, Rama tha se strukturat e qeverisë janë në kontakt të vazhdueshëm me kompaninë Pfizer për të siguruar që marrëveshja do të shkojë deri në fund.
”Për ata që kanë marrë dozën e parë, vaksinat janë aty. Është bërë kalkulimi që asnjë të mos humbë procesin, për shkak të vaksinës. Pfizer ka një problem të madh aktualisht me të gjitha vendet. Pfizer ka lajmëruar një “stop”. Ne jemi në kontakt, jo njëherë por shtatë herë në ditë, për të bërë të mundur që ata të respektojnë kontratën me ne dhe të na sjellin dozat,” ka shtuar kryeministri.

Por medie të huaja si “VOA” dhe “Reuters” kanë deklaruar sëfundmi se ky lajm është i rremë. “Reuters” shkruan se kompania Pfizer në një email drejtuar kësaj mediaje ka shpjeguar se si pjesë e planit për të rritur prodhimin, struktura e kompanisë në Belgjikë do të jepte më pak doza (ky proces ishte planifikuar gjatë javës së kaluar) dhe prodhimi do të kthehej në normalitet më 25 janar dhe do të kishte një rritje të prodhimit të dozave në 15 shkurt, kështu do të ishte në gjendje të dorëzonte plotësisht sasinë e dozave të vaksinës në BE dhe SHBA.

Ministrja Manastirliu gjatë vizitës së djeshme në Qendrën Shëndetësore të “Qytet Studentit” deklaroi se në shkurt pritet që të merren dozat e para nga formacioni COVAX i ngritur nga aleanca GAVI. Ministria e Shëndetësisë konfirmoi më herët për Gazetën “Si” se edhe vaksinat që do të merren nga formacioni COVAX do të jenë nga kompania Pfizer. Rama theksoi në konferencë se qeveria është duke negociuar edhe me kompaninë AstraZeneca.

“Ajo që mund të thuhet me plot gojë është se Shqipëria nuk është mbrapa askujt dhe shqiptarëve nuk do t'u mungojë kujdesi për të dalë sa më parë nga kjo flamë dhe kjo fazë kaq e vështirë e luftës me Covid-in, në raport me asnjë vend. Së shpejti të mund të japim lajme të mira. për momentin jemi në komunikime të vazhdueshme me Pfizer, që shpresoj të lëshojë një pjesë të dozave të premtuara. Shpresoj që në 10 ditët e ardhshme do të kemi qartësi, më shumë se ç’dini dhe ç’dimë sot për vaksinën”, tha Rama.

Më herët është bërë me dije nga OBSH edhe kontrata e firmosur me kompaninë për të marrë rreth 40 milionë doza, të cilat sipas OBSH do të ndihmojnë në përfundimin e fazës akute të vaksinimit në vendet me të ardhura të ulëta.
“Ne parashikojmë që të jemi në gjendje të fillojmë shpërndarjet e vaksinave COVID-19 që shpëtojnë jetën nga fundi i shkurtit. Kjo nuk është vetëm domethënëse për COVAX, është një hap i madh përpara për qasje të barabartë në vaksinat dhe një pjesë thelbësore e përpjekjes globale për të mposhtur këtë pandemi. Ne do të jemi të sigurt kudo nëse jemi të sigurt kudo ,” ka deklaruar Seth Berkley, drejtuesi i GAVI, Aleanca e Vaksinave, e cila udhëheq prokurimin dhe shpërndarjen e COVAX.
Ndërkaq, formacioni COVAX ka deklaruar se synon t'u sigurojë 190 shteteve pjesëmarrëse një shpërndarje të drejtë të dozave deri në fund të këtij muaji. Kjo shpërndarje do të sigurojë udhëzime të përkohshme për pjesëmarrësit duke ofruar një skenar minimal planifikimi për të mundësuar përgatitjet për caktimin përfundimtar të numrit të dozave, që secili pjesëmarrës do të marrë në raundet e para të shpërndarjes së vaksinave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë