Futboll

Në pranga ultrasit e Juventusit, klubi i kishte denoncuar një vit më parë

Operacion blic i policisë italiane në sektorin e ultrasve të Juventusit. Disa prej drejtuesve të grupimeve ultras të ekipit bardhezi janë arrestuar pas një hetimi të koordinuar me Prokurorinë e Torinos. Janë 12 kryetifozët e ndaluar tashmë, pas operacionit të koduar “Last banner”, dhe bëhet fjalë për krerët e grupimeve “Drughi”, “Tradizione-Antichi valori”, “Viking”, “Nucleo 1985” dhe “Quelli… di via Filadelfia”.

Mes të arrestuarve është Dino Moçola, lideri historik i tifo-grupit më të madh të Juventusit, “Drughi”. Ai ka qenë në burg në fillim të viteve ’90, pasi kishte vrarë një polic gjatë një vjedhjeje dhe ishte po ashtu përgjegjës për infiltrimin e pjesëtarëve të organizatës famëkeqe “’Ndrangheta” mes tifozëve të Juventusit. Të arrestuar të tjerë janë Salvatore Kava, Umberto Toia dhe Bepe Franco, të gjithë emra shumë të njohur dhe "të respektuar” në ambientin e tifozëve bardhezi. Hetimi ka nisur pasi klubi torinez kishte kuptuar infiltrimin ‘ndranghetist te tifozët ultras dhe kishte bërë një denoncim. Grupimet e tifozëve kishin kërcënuar klubin se do të kishte kore raciste në stadium, duke i bërë presion për të marrë bileta më shumë se numri i caktuar dhe për t’i shitur më pas në treg të zi.

Grupimi kryesor i ultrasve të Juventusit, "Drughi". Gazeta Si, 16 shtator 2019

Sipas Prokurorisë, akuzat që rëndojnë mbi të arrestuarit janë disa, si bashkëpunim në krim, shantazh dhe zhvatje, autoriciklim dhe ushtrim dhune. Janë shpallur në kërkim ndërkohë edhe dhjetëra persona në qytete të tjera të Italisë, si Alesandria, Asti, Komo, Savona, Milano, Xhenova, Peskara, Specia, Akuila, Firence, Mantova, Monca, Bergamo dhe Biela.

Hetimet kanë nisur pas denoncimit të drejtuesve të Juventusit një vit më parë. Klubi bardhezi kishte pikasur qëllimet e grupimeve ultras, që kishin kërkuar disa avantazhe të dyshimta. Grupimi “Drughi” arrinte të siguronte me qindra bileta për ndeshjet në Torino të Juventusit dhe më pas i shpërndante ato në pika shitjesh të shtrira në gjithë territorin e Italisë. Tashmë gjithçka është zbuluar dhe policia ka bërë arrestimet e para. Hetimet në vazhdim do të nxjerrin të tjera detaje nga ajo çka ultrasit e Juventusit kishin arritur të bënin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë