Ngjarje

Në prag të finales, rrugët e zhurmshme të Tiranës presin që turistët të rikthehen

Tirana dukej ndryshe sot.

Finalja e Conference League ndihet në ajër si kryefjala e të gjithë përgatitjeve që mund të vësh re vërdallë, zhurmnajës që gjallon dhe padyshim turistëve të cilët i has vazhdimisht gjatë perimetrit të rrugëve të saj.

“Air Albania” ishte pika referuese e të gjithëve. Aty ishin mbledhur të huajt, stafet vullnetare që punonin nxitimthi dhe tek-tuk ndonjë shqiptar që, nxitur nga kurioziteti, vinte të hidhte një sy vërdallë, përtej strukturave që kishin bllokuar hyrjen, për të parë mos merrnin vesh gjësend ç’bëhej aty.

Nga dreka zbarkuan tri autobusë me të rinj nga Kosova që të koordinuar pa fjalë me njëri-tjetrin, fill sa zbritën, morën rrugën drejt stadiumit, për të parë se ku do të luhej “finalja e madhe”. Togfjalësh ky që shpesh përsëriste veten nga ata.

Ishin vit i tretë në gjimnaz dhe e kishin lënë ekskursionin dyditor pikërisht këto ditë, që t’u përkonin me ndeshjen.

Të rinjtë kosovarë drejt stadiumit

Albulena Gashi, një prej tyre tha për Gazetasi.al se para kësaj atmosfere nuk do zgjidhnin as detin e Durrësit të cilin ata e donin shumë.

“Ne e ndjejmë këtë finale historike si për vete. Nuk kemi gjetur bileta por donim shumë që ta shihnim ndeshjen në Tiranë sepse nuk kemi dyshime që do të ketë shumë atmosferë.

Jemi organizuar disa klasa dhe kemi ardhur. Tani do të shohim stadiumin dhe më pas do të ikim të gjithë bashkë në ndonjë restorant këtu”, tha ajo dhe nxitoi me të shpejtë t’i bashkohej turmës tjetër që ishin drejtuar drejt “Hyrjes 2” të stadiumit.

Parapërgatitje tek stadiumi “Air Albania”

Një grup turistësh holandezë po shkrepnin disa foto aty, drejtuar nga një shqiptar i cili po u tregonte mbi stadiumin në anglisht.

“Jemi këtu për ndeshjen. Tirana duket shumë e bukur dhe atmosfera ndihet që sot. Kam ardhur që dje me miqtë e mi, një pjesë e të cilëve tani janë akomoduar në një hostel këtu pranë”, tha Hendrik, njëri prej tyre për Gazetasi.al i cili nuk harroi të theksonte që shqiptarët i duken shumë mikpritës dhe të dashur.

Mandej, u largua dhe vijoi të shkrepte foto të tjera rreth e rrotull stadiumit.

Alesia, një vullnetare që po punonte pranë një stende e cila sapo ishte ngritur tha për Gazetasi.al se aty do të shisnin që sot bluza për tifozët e të dyjave skuadrave dhe me nxitim të madh nisi të nxirrte disa qese prej kartoni, brenda të cilave do të paketonin bluzat.

Rruga drejt qendrës ishte më e zhurmshme se kurrë. Gëlonte nga zërat.

Syrit nuk kishin kurrsesi se si t’i shpëtonin gotat e plastikës të mbushura më birrë në duart e tifozovë hollandezë që për hir të së vërtetës, dukeshin më të shumtë në numër se italianët të cilët sot pak i hasje vërdallë.

Shumica prej tyre brohorisnin, me krahët hedhur në qafë të njëri-tjetrit,që sot. Më pas qeshnin me të gjithë qytetarët shqiptarë që ndaleshin rreth tyre për t’i parë a për të shkrepur foto.

“Do të fitojmë kupën”, dëgjoheshin në anglisht zëra krejt optimist që tek-tuk ndërpriteshin nga volumi i lartë i ndonjë kënge që vinte nga makinat vërdallë.

Të rinjtë shqiptarë nuk dukeshin më pak të emocionuar. Ideja e një dite ndryshe në Tiranë i kishte lumturuar jo pak. Dita e pushimit ua kishte shtuar ca më shumë akoma.

Tek “Reja” përgatitjet vijonin.

“Do të jenë dy Fun Zone, njëra është kjo këtu. Sapo u siguruam që çdo gjë është rregulluar nga ana teknike. Tani do të përgatisimin ambientin për qytetarët që do të vijnë të ulen.

Janë zgjedhur pika të rëndësishme rreth qendrës, në mënyrë që të mos jenë shumë larg stadiumit”, tha për Gazetasi.al një punonjës që ishte ulur të pushonte aty.

Në shesh, dukej se festa kishte filluar. Të shumtë ishin turistët që po bënin foto pranë trofeut i cili kishte pak që kishte mbërritur.

Aktivitetet sportive kishin nisur dhe rradha për t’u bërë pjesë e lojrave ishte e madhe.

Dielli dhe vapa që në ditë normale do të minimizonin numrin e njerëzve që vizitojnë sheshin gjatë orarit të drekës, sot sikur ishin ‘në krah të tyre’.

Pronarët e bizneseve, jo më pak të emocionuar

Stenda e birrës “Heineken” sapo ishte ngritur. Nga përgatitjet e terrenit, dukej se do të ngriheshin dhe të tjera.

Banakieri, një djalë rreth të tridhjetave i cili po përgatiste birrat e para, tha për Gazetasi.al se të gjithë bizneset e shërbimit do të përfitonin shumë.

“Holandezët dhe birrat janë një dyshe që nuk mendohen shpesh jobashkë. Nga sa kam folur me ta thonë që iu kanë pëlqyer edhe birrat shqiptare. Ky është një moment i mirë për të nxjerrë disa fitime.

Shpresoj që bizneset të mos përfitojnë shumë me çmimet, në mënyrë që ata të duan të rikthehen sërish në Tiranë”, shtoi ai.

Tirana në prag të finales që do të zhvillohet nesër mbrëma(25 maj) më shumë se thjesht një destinacion, ngjan me një shtëpi të madhe e cila ka hapur dyert për miqtë e saj. Me shpresën, se do të ketë një tjetër kthim…


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë