Kombetarja

Në lojë vendi i 3-të, Shqipëri sulmuese dhe Strakosha drejt stolit

Me humbjen në Turqi, Shqipëria thuajse i ka larë duart me objektivin e kualifikimit në Euro 2020. Trajneri Edi Reja është pranë kornfirmimit dhe detyra e tij është që kuqezinjtë të hapin një cikël të ri. Një cikël që tashmë ka nisur, pasi dy-tri ndeshjet e fundit ka pasur ndryshime në formacion, ku po fitojnë hapësirë gjithmonë e më shumë lojtarët e rinj.

Ndeshja e radhës luhet sot në mbrëmje, në Moldavi. Trajneri Reja ka vendosur të bëjë ndryshime, t’u japë mundësi lojtarëve të tjerë, por italiani është i interesuar edhe për rezultatin, pasi kuqezinjtë janë në lojë për vendin e tretë në grup. Islanda, skuadra që e mban aktualisht këtë vend, është 3 pikë larg (12 pikë), kështu që mund të arrihet, për më tepër që bilancin direkt me këtë kundërshtar e kemi pozitiv. Për të synuar vendin e tretë Shqipërisë i duhet të fitojë patjetër në fushën e Moldavisë dhe formacioni i trajnerit Reja do të ketë theks sulmues.

Cikalleshi dhe Abrashi gjatë seancës së djeshme stërvitore në Moldavi. Gazeta Si, 14 tetor 2019

Ndryshimet në formacion, në krahasim me ndeshjen me Turqinë, pritet të nisin nga porta, ku titullar pritet të jetë Berisha. Ndoshta ndryshimi në portë ishte menduar më përpara, por kuptohet që ai gabim ndaj Turqisë ka pasur ndikim në vendimin e trajnerit italian. Përpara Berishës do të jetë treshja e përbërë nga Ismajli, Gjimshiti dhe Kumbulla. Mbrojtësi i Veronës është gati të bëjë debutimin me fanellën kuqezi në këtë transfertë. Luan titullar me ekipin e tij në Serinë A, edhe pse është 19 vjeç. Në mesfushë parashikohet të ketë dy ndryshime, që e bëjnë skuadrën tonë më sulmuese. Roshi është gati të zërë vend në të djathtë, aty ku në Turqi luajti Veseli. Në krahun tjetër të mesfushës do të jetë Lenjani, në qendër tashmë të zakonshmit Gjasula dhe Bare, kurse përkrah tyre Abrashi, që do të zërë vendin e Memushajt.

Formacioni i mundshëm i Shqipërisë për ndeshjen e sotme me Moldavinë. Gazeta Si, 14 tetor 2019

Sulmi nuk mendohet të preket. Cikalleshi dhe Manaj kanë shpenzuar shumë në Turqi, por duken një dyshe e konsoliduar dhe trajneri Reja ka menduar se është më mirë që të jenë sërish ata në fushë nga minuta e parë. Manaj shpërdoroi shumë në ndeshjen e fundit dhe sot ka një shans të korrigjojë veten. Cikalleshi ka pasur një shqetësim fizik, por jo aq sa për të vënë në rrezik ndeshjen. Kavajasi ka më shumë shanse të jetë titullar, për t’ia lënë vendin Balajt në pjesën e dytë. Në ndeshjen e sotme, përveç Kumbullës, pritet të debutojnë edhe Selahi e Seferi, por gjithçka varet nga rezultati. Moldavia mban vendin e fundit në grup me 3 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë