Zgjedhjet e parakohshme duket se po shndërrohen në një “bombë epidemiologjike” për Kosovën, me partitë politike që po mbajnë mitingje masive duke mbledhur qindra simpatizantë. Pavarësisht paralajmërimeve të epidemiologëve dhe gjobave të vendosura nga autoritetet, partitë politike, përfshirë edhe ato në pushtet, kanë thyer rregullat për frenimin e pandemisë, duke organizuar tubime publike në ambiente të mbyllura, pa distancë dhe pa maska.
Një pjesë e këtyre partive kanë publikuar fotografitë e mitingjeve edhe në rrjetet sociale, duke ngjallur një sërë reagimesh nga ana e qytetarëve, të cilët kanë ngritur po ashtu shqetësimin se politikanët po sillen sikur fushata nuk po mbahet në mesin e një pandemie.
Sipas masave të fundit të miratuara nga Qeveria e Kosovës, në ambiente të mbyllura nuk lejohet mbledhja e më shumë se 30 qytetarëve, kurse në ambiente të hapura lejohen deri në 50. Por një në miting të Partisë Demokratike të Kosovës duket të jenë mbledhur të paktën 150 qytetarë, të cilët jo vetëm që nuk kanë ruajtur distancën, por një pjesë nuk kanë as maska.
Këto mbledhje masive kanë bërë që partitë politike të përballen me gjoba të majme, por asnjë nga forcat politike nuk ka reflektuar. Deri tani janë dënuar Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje që janë gjobitur për thyerjen e masave anti-covid por mitingjet kanë vazhduar.
Drejtoria për Inspeksion në Prishtinë ka gjobitur së fundmi Partinë Demokratike të Kosovës, me 2 mijë euro, duke thënë se askush nuk është mbi ligjin. “Zbatimi i masave dhe ruajtja e shëndetit publik, është obligim për të gjithë”, tha ajo në një deklaratë. As vetë kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj nuk mban maskë nëpër këto tubime.
Epidemiologu Ilir Tolaj thotë se rrjedha e deritashme e pandemisë në Kosovë, e cila ka qenë më pak agresive në javën e fundit, e bën më të lehtë edhe organizmin e fushatës parazgjedhore.
Megjithatë, ai thotë se numri i rasteve të të infektuarve në Kosovë është disa herë më i madh sesa numri zyrtar, pasi sipas tij, këto raste kanë qenë ose pa simptoma ose me pak simptoma, duke rrezikuar ta përhapin edhe më shumë virusin në mitingje politike.
“KQZ-ja mund ta kufizojë fushatën parazgjedhore në një javë dhe të ndalojë në kohë partitë politike. Tubimet e hapura mjaftojnë të organizohen duke respektuar distancën dhe mbajtjen e maskës, por deri më tani mitingjet janë mbajtur në ambientet e mbyllura, duke rrezikuar të gjithë pjesëmarrësit”, thotë Tolaj.
Personat mbi 65 vjeç, që nuk e kanë kaluar COVID-19, sipas Tolajt, duhet që t’i shmangin aktivitete parazgjedhore. “Ata që e kanë kaluar Covid-19 janë të lirë që të marrin pjesë në këto tubime, por rrezikojnë që të infektohen nga gripi sezonal”, thotë Tolaj.
Pavarësisht se kandidojnë me premtime të ndryshme, partitë politike duket se po sillen pa dallim nga njëra-tjetra kur bie fjala për thyerjen e rregullave kufizuese.
Edhe pse nuk formoi parti politike, ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani i hyri garës për zgjedhjet e 14 shkurtit me disa emra të rinj si kandidatë për deputetë, por në një listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje.
Vjosa Osmani, e cila shpeshherë ka bërë thirrje për respektim të masave anti-Covid, ka filluar fushatën elektorale duke mbledhur rreth vetes dhjëtëra persona në një sallë të mbyllur. Rregullat janë thyer edhe nga Vetëvendosja, e cila ka organizuar po ashtu mitingje masive ku pjesëmarrësit shihen pa maska.
Gjobës për mosrespektim të masave anti-Covid nuk i shpëtoi as hartuesja e këtyre rregullave, LDK-ja, e cila është përballur për të disatën herë me gjoba nga 2 mijë euro.
Duke ironizuar me sloganin e LDK-së në këto zgjedhje që është “Shteti shtet”, Drejtori i Inspkesionit në Prishtinë, Adonis Tahiri publikoi një nga gjobat vendosur partisë në pushtet, duke shkruar “Gjoba gjobë”. “Partitë politike nuk po interesohen më për shëndetin publik të qytetarëve, derisa vazhdojnë të grumbullohen për të bërë fushatë”, thekson ai.
Deri më tani, LDK ka tri gjoba, PDK dy dhe LVV, AAK, dhe Nisma nga një gjobë, por me afrimin e 14 shkurtit, lista ka të ngjarë të jetë e gjatë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.