Kombetarja

Në Izrael me skemën 4-3-3, si në kohën e De Biazit

Miqësorja me Jordaninë ishte një test para ndeshjes së rëndësishme në Izrael, ku Shqipërisë i duhet patjetër rezultat pozitiv për të synuar kreun e grupit në Ligën e Kombeve. Trajneri Kristian Panuçi eksperimentoi, ashtu si në shumë miqësore të mëparshme. Pas asaj ndeshjeje ai e pranoi se mbrojtja me tre nuk funksionon, pasi skuadra është e familjarizuar me skemën me katër mbrojtës. Në fushën e Izraelit Kombëtarja jonë do të zbresë në fushë me skemën 4-3-3, që në varësi të situatave të lojës, kalon në 4-2-3-1, si në kohën e ish-trajnerit Xhani De Biazi. Një skemë e imponuar nga kualiteti i grupit kuqezi.

Në portë pritet të kthehet Tomas Strakosha, i cili nuk luajti asnjë minutë me Jordaninë. Në mbrojtje luajnë Elseid Hysaj, i cili gjithashtu u kursye në miqësore, Berat Gjimshiti, Mërgim Mavraj dhe me shumë mundësi Egzon Binaku. Në mesfushë do të jetë treshja Basha-Xhaka-Memushaj. Basha dhe Memushaj janë më të freskët, pasi në miqësoren e fundit nuk u aktivizuan asnjë minutë, ndërsa Xhaka luajti një pjesë. Janë këta lojtarët që do të kenë barren kryesore në këtë ndeshje, pasi duhet të mbrojnë, të thyejnë aksionet e kundërshtarit dhe të ndihmojnë edhe sulmin.

Kombëtarja para miqësores me Jordaninë

Bekim Balaj do të zërë vend në majë të sulmit, pasi trajneri Panuçi e di shumë mirë që në ndeshje të tilla duhet përvojë, por edhe një lojtar i fortë fizikisht. Në mbështetje të shkodranit nga krahët do të jetë Eros Grezda i sigurt dhe njëri mes Enis Gavazajt dhe Ermir Lenjanit. Kjo është dilemma e vetme e trajnerit italian para ndeshjes me Izraelin. Panuçi tha në konferencën për shtyp se e ka marrë Lenjanin për përvojën që ai ka me fanellën kuqezi dhe mund t’i besojë një vend titullari. Lenjani mund të luajë si mbrojtës dhe si mesfushor në linjën e majtë. Nëse Panuçi e aktivizon në mbrojtje, atëherë titullar do të jetë edhe Gavazaj, nëse e aktivizon në mesfushë, në mbrojtje do të luajë Binaku.

Nga grumbullimi i Kombëtares, përveç Ramadanit, Lilës dhe Veselit, është larguar edhe portieri i tretë, Alban Hoxha, për shkak të një dëmtimi. Në vend të tij është thirrur portieri i Kombëtares U-21, Elhan Kastrati. Por edhe sulmuesi Xhakomo Vrioni ka lënë ekipin Shpresa dhe ka udhëtuar me Kombëtaren e madhe për në Izrael.Kuqezinjve u është bashkuar edhe mesfushori Sabien Lilaj, kurse mbrojtësi Ivan Balliu nuk u lejua nga skuadra e tij në Francë të grumbullohej me Shqipërinë.

Kuqezinjtë në stërvitje

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë