Bota

Në Greqi plasin debatet mbi kushtetueshmërinë e detyrimit për t’u vaksinuar

Autoritetet greke nuk kanë ndërmend që të tërhiqen nga vendimi i vaksinimit të detyrueshëm për të gjithë popullsinë madhore të vendit, pavarësisht protestave të kundërshtarëve të këtij procesi.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis dhe Presidentja e vendit, Katerina Sakelaropoulou akuzuan kundërshtarët e vaksinimit se po keqinterpretojnë nenet e Kushtetutës së vendit, që i citojnë për të argumentuar refuzimin e vaksinës.

Protestuesit thonë se me detyrimin për t’u vaksinuar po u shkelen të drejta themelore, si liria e zgjedhjes dhe për ta, vaksinimi apo jo është një e drejtë personale përzgjedhjeje. Por, Mitsotakis u citoi një tjetër nen të Kushtetutës.

“Në Kushtetutë parashikojmë që shteti ka të drejtë të kërkojë nga të gjithë qytetarët përmbushjen e detyrimit të solidaritetit shoqëror dhe kombëtar. Mendoj se ky nen është më i rëndësishëm sot se kurrë. Kjo është ajo që ne kërkojmë nga bashkëqytetarët tanë; solidaritet shoqëror dhe kombëtar”, deklaroi Mitsotakis.

Greqia nuk ka vaksinuar ende as gjysmën e popullsisë së saj prej 11 milionë banorësh, ndërsa në përpjekjet e Qeverisë për të bindur refuzuesit e vaksinës ka ndërhyrë edhe presidentja Sakelaropoulou.

Ajo tha se vaksinimi është arma më e mirë për t’u mbrojtur nga virusi në këtë kohë.

“Kushtetuta nuk i njeh askujt të drejtën, brenda kornizës së lirisë së tij, të rrezikojë jetën dhe shëndetin e të tjerëve. Kushtetuta nuk i njeh këto të drejta vetëm vetëm sepse ne jemi individualisht bartës të vlerave njerëzore, pori edhe sepse jemi pjesë e shoqërisë në tërësi”, tha ajo.

Debatet mbi kushtetueshmërinë e detyrimit për t’u vaksinuar lindën në Greqi pas kalimit në parlamentin grek të një ligji që detyron punonjësit në disa sektorë kyçë publikë e privatë që të vaksinohen, e po ashtu e njëjta masë po mendohet të kalojë edhe për mësuesit, pedagogët dhe nxënësit e studentët mbi 15 vjeç.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë