Futboll

Në Gjermani janë të bindur, Bajerni e ka gjetur trajnerin e ri

Niko Kovaç i ka orët e numëruara në stolin e Bajern Mynih. Trajneri kroat nuk i ka bindur drejtuesit e klubit bavarez, sepse skuadra nuk pati atë ecuri që pritej në Champions League, ndërkohë titulli kampion në Bundesligë do të vendoset javën e fundit të kampionatit, madje disa herë është vënë në rrezik.

Lamtumira e Kovaç nga Bajerni konsiderohet formalitet dhe shtypi gjerman ka zbuluar se kush do të jetë zëvendësuesi i tij. Bëhet fjalë për një ish-futbollist të këtij ekipi, holandezin Mark Van Bomel, për të cilin ka pasur një interesim kohët e fundit edhe nga Milani, por Bajerni është shumë pranë firmës. Mark Van Bomel drejton aktualisht ekipin e PSV-së në Holandë dhe sigurisht që do ta joshte një aventurë në Gjermani dhe aq më tepër një klub të madh si Bajerni, që ai e njeh mjaft mirë, pasi fanellën e tij e ka mbajtur për disa vite.

Mark Van Bomel

Van Bomel ka bërë një punë mjaft të mirë në krye të PSV-së në Holandë dhe duket se është gati për të përballuar një aventurë të rëndësishme, siç do të ishte ajo në stolin bavarez. Drejtuesve të Milanit ndërkohë u duhet ta heqin emrin e holandezit nga lista e kandidatëve për trajner dhe të shohin alternativa të tjera. Disa nga klubet më të mëdha në Europë pritet të ndërrojnë trajner për sezonin e ri, ku veç Bajern Mynih dhe Milan janë edhe PSG, Inter, Çelsi dhe ekipe të tjera. Për momentin, pa punë janë edhe trajnerë shumë të njohur, si Antonio Konte dhe Hoze Mourinjo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë