Kombetarja

“Në Europian kalojmë grupin!” Vasil Ruci zbërthen Silvinjon e lojtarin kyç të kuqezinjve

Fatjon Rupi – Kombëtare e bukur dhe e fortë! Kjo është esenca e asaj që mjeshtri Vasil Ruci pa mbrëmjen e së enjtes në ‘Air Albania’, ku Shqipëria mundi 3-0 Çekinë në një ndeshje që e ka çuar ‘de facto’ në Europian. Si gjithë specialistët, edhe legjenda vlonjate nuk i kursen lëvdatat për skuadrën dhe trajnerin Silvinjo.

Në një intervistë për Gazeta Si, Ruci ‘zbërthen’ sekretet e kësaj Kombëtareje, lëvizjet fituese të Silvinjos, lojtarin që e ka impresionuar më shumë nga të gjithë dhe atë çfarë mund të bëjnë kuqezinjtë në të ardhmen. Vlonjati sheh larg dhe thekson se kjo Kombëtare mund të kalojë grupin në Euro 2024.

Vasil Ruci, ish-sulmuesi i shquar vlonjat. Gazeta Si, 13 tetor 2023

Profesor Vasili, çfarë përshtypje ju la fitorja e Kombëtares ndaj Çekisë? Cila është esenca e asaj që pamë në atë fitorë të thellë me Çekinë?

Kemi parë një Kombëtare të bukur për mënyrën e lojës, por edhe të fortë. E them me plot gojën se kemi një skuadër të fortë tani, një grup lojtarësh të kompletuar. Me atë që pashë ndaj Çekisë, ku fitoren e merituam plotësisht, mund të them se Shqipëria nuk do të jetë thjesht pjesëmarrëse në Europianin e Gjermanisë, por duhet të kërkojë më shumë, duhet të pretendojë të kalojë grupin. E ka kualitetin dhe ‘oreksi vjen duke ngrënë’…

Ylber Ramadani, lojtari që Ruci e veçon nga të tjerët. Gazeta Si, 13 tetor 2023

Cili është sekreti i kësaj skuadre, që arrin të fitojë bindshëm ndaj emrave të mëdhenj, si Çekia apo Polonia?
Është e gjithë skuadra që funksionon, patjetër. Por mua personalisht më ka impresionuar shumë Ylber Ramadani. Një lojtar i jashtëzakonshëm. Lojtarët kontrollorë si ai zakonisht janë për të thyer sulmet e kundërshtarit dhe ai jo vetëm e bën këtë, por edhe ndërton aksionet. Nëse do të përmirësohet edhe pak dhe do të ketë saktësinë e pasit në nisjen e aksioneve, do të bëhet një lojtar vërtet i madh.

Përveç Gjimshitit, i cili është një lider i vërtetë i skuadrës, por edhe të tjerevë, Ramadani duhet veçuar. Pastaj janë disa elementë aty në mesfushë, apo në sulm, që na e kanë zbukuruar Kombëtaren.

Po trajnerit Silvinjo, sa merita duhet t’i japim në këtë arritje të madhe?
Shikoni, gjithmonë në botë, kur ndërtohet një skuadër, të parët që kërkohen në merkato janë ‘uingerat’, pra sulmuesit e krahëve. Trajneri Silvinjo ka një meritë të padiskutueshme, sepse na solli në skuadër një ‘uinger’ shumë të mirë si Asani, i cili ka shënuar gola shumë të bukur. Tani duhet të stabilizojë edhe ‘uingerin’ e krahut tjetër.

Silvinjo ka merita, sepse ka bërë gjërat e thjeshta: ka aktivizuar të majtin të majtë dhe të djathtin të djathtë. Kështu ka marrë 100%, sepse rezultati vjen patjetër. Jo si trajnerët e tjerë që bënin lëvizje dhe spostime të kota në skuadër, që nuk shërbenin për asgjë dhe ishin kohë e humbur. Silvinjo i ka bërë gjërat si duhet.

Kurrë më parë nuk kemi pasur një skuadër me kaq shumë kualitet, ku veç formacionit kemi edhe një stol luksi, me emra si Uzuni, Muçi e të tjerë…
Po, është e vërtetë. Kemi një skuadër shumë të mirë, ndaj dhe që në fillim thashë se kjo Shqipëri është e bukur dhe e fortë, si dhe mund të vazhdojë të bëjë surpriza në Europian. Ka ndodhur shpesh që skuadra si ne, që konsiderohen gjysmë të forta në një aktivitet, të shkojnë larg, deri në gjysmëfinale.

Kam parasysh Marokun e Botërorit të fundit, Danimarkën më parë apo ndonjë tjetër. Edhe ne mund të bëjmë këtë në Europian për gjendjen që kemi dhe momentin që po kalojmë.

Daku dhe Asani festojnë një gol. Gazeta Si, 13 tetor 2023

Çfarë mendimi keni për Dakun, a kemi gjetur një sulmues të kompletuar për të ardhmen?
Daku ka diçka që e dallon nga Cikalleshi për shembull. Ka qetësinë para portës, siç e tregoi edhe në rastin e golit të dytë të Shqipërisë ndaj Çekisë, kur kaloi mbrojtësin në zonë dhe shërbeu për Seferin. Koha do të na bëjë të kuptojmë, nëse këtë e ka nga inteligjenca, apo jo. Nëse e ka nga inteligjenca, patjetër që kemi një sulmues shumë të mirë.

Por kemi edhe Brojën, që nëse barazonin raportin mes inteligjencës dhe aftësive që ka, është një sulmues i jashtëzakonshëm. Unë do të doja që në vazhdim t’i jepnim mundësi Muçit të fitojë eksperiencë, sepse është një lojtar me shumë kualitet. Ai mund të bëhet një ‘uinger’ shumë i mirë i krahut tjetër dhe bashkë me Asanin pastaj do të bëheshin shumë të rrezikshëm për kundërshtarin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë