Shendet

Në Britani kërkohet rikthimi i maskave për shkak të variantit Arcturus

Pesë britanikë kanë vdekur nga lloji Arcturus i Covid.

Ekspertët thonë se duhet të mbahen sërish maskat në transportin publik, pasi varianti Arcturus i Covid vazhdon të përhapet.

Pesë persona kanë vdekur nga ky variant, sipas Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa besohet se ka rreth 104 raste infektimi.

Profesor Stephen Griffin, virolog thotë se njerëzit duhet të testohen rregullisht dhe të mbajnë maska për t'u mbrojtur nga virusi.

“Kjo mund të duket si një rikthim në vitin e kaluar, por realiteti është se virusi vazhdon të shkaktojë vdekje dhe sëmundje dhe ata që janë më vulnerabël vazhdojnë të vuajnë.

Lloji i ri, i njohur si XBB.1.16, u identifikua për herë të parë në janar dhe doli nga Omicron, BA.1 dhe BA.2.

Hulumtimet tregojnë se Arcturus mund të jetë 1.2 herë më infektues se nënvarianti i fundit i madh.

Arcturus është monitoruar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) që nga 22 marsi, e cila e cilësoi atë një "variant me interes" në mes të prillit.

Në Britani, virusi është aktualisht më i përhapur në Londër, Veri-Perëndim dhe Juglindje.

Vipin Vashishtha, pediatër thotë se simptomat e Arcturus përfshijnë temperaturë të lartë, kollë, kruarje dhe sy të kuq.

India tashmë i ka rikthyer maskat pas shpërthimit të virusit. Edhe në Australi rastet janë në rritje.

Në SHBA, Arcturus tani është përgjegjës për 9.6 për qind të rasteve me Covid, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe OBSH.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë